Autoriteti i Mediave Audiovizive, gjatë procesit të monitorimit sistematik të përmbajtjeve të transmetuara, ka identifikuar së fundmi dhe raste të shkeljeve etike në programe.
Çdo rast është shqyrtuar në referencë me kërkesat e ligjit dhe të Kodit të Transmetimit dhe AMA ka qenë në komunikim me OSHMA-të për problematikat e vërejtura.
Për AMA-n, liria e veprimtarisë audiovizive dhe hartimi i katalogëve të larmishëm programorë, nuk ka lidhje me përmbajtje të papërshtatshme, që cenojnë dhe dinjitetin e pjesëmarrësve në emisione si dhe të ndjekësve.
“Në ligjin ku flitet për detyrimet e OSHMA-ve, mes të tjerave thuhet dhe që duhet ‘të mos cenojë dinjitetin dhe të drejtat themelore të njeriut’, apo ‘të respektojë rregullat e etikës dhe moralit publik…’. Gjithashtu në Kodin e Transmetimit është përcaktuar se: ‘transmetimet audiovizive respektojnë personalitetin, dinjitetin dhe të drejtat e liritë e tjera themelore të njeriut’, dhe ‘veprimtaria e transmetimeve audiovizive respekton normat morale dhe etike të shoqërisë, si dhe kërkesat e deontologjisë së profesionit të gazetarit’”, citon AMA.
AMA shprehet se do të vijojë monitorimin, si dhe do të shqyrtojë çdo ankesë mbi përmbajtjet që nuk respektojnë kërkesat ligjore në fuqi, duke mbetur në komunikim me OSHMA, për të ndjekur çdo rast të identifikuar.
