Fill pas miqësores së 26 marsit përballë Spanjës, ku përfaqësuesja jonë humbi në shtëpinë e këtyre të fundit me rezultatin 2-1, kuqezinjtë do të luajnë miqësoren e radhës ditën e sotme kundër Gjeorgjisë në stadiumin “Air Albania”, në orën 18:00.
Siç edhe u njoftua dje, tranjeri Reja do të duhet të bëjë llogaritë në këtë ndeshje pa mesfushorin Keidi Bare i cili shfaqi probleme fizike, mbrojtësin Balliu me të cilin ishte rënë në dakord që do të luante vetëm një ndeshje dhe po ashtu pa Uzunin, i cili i është bashkuar Granadas pas një marrëveshjeje me klubin pasi Granada ka një ndeshje të rëndësishme në kampionat.
Megjithatë, italiani duket se e ka paracaktuar formacionin edhe për ndeshjen e sotme dhe ndryshimet do të jenë të shumta, duke filluar nga porta, me Strakoshën që pritet ta nisë si titullar.
Qendra e mbrojtjes nuk pritet të ketë ndryshime, ndërsa krahët do të plotësohen me Roshin nga e djathta dhe Lenjanin nga e majta.
Mesfusha do të jetë tërësisht e re, me Asllanin, Ramadanin dhe Çekiçin, ndërsa në sulm do të jetë dyshja Broja – Manaj.
Formacioni i mundshëm i Shqipërisë përballë Gjeorgjisë.
Shqipëria: Strakosha; Ismajli, Gjimshiti, Kumbulla; Roshi, Ramadani, Asllani, Cekici, Lenjani; Broja, Manaj.
