Anëtarë e bordit së Shoqatës AFADA, në të cilën bëjnë pjesë përfaqësuesit e firmave të importit të plehrave kimike reaguan publikisht sot ndaj vendimit të Autoritetit të Konkurrencës, institucioni që i gjobiti disa ditë më parë,me pretendimin se kompanitë që operojnë në fushëi kanë rritur çmimet e mallrave që importojnë.
Kjo shoqatë e cilëson këtë vendim si të pabazuar në fakte dhe në dokumente nga ana e këtij Autoriteti.
“Sikurse jeni në dijeni, kohët e fundit po zhvillohet një fushatë akuzash të padrejta kundër nesh, ku më e pakta që mund të themi vjen nga mosnjohja e zinxhirit të burimit të prodhimit, bursës që përcakton çmimet, kostove, tregtisë, marrëdhënieve me fermerin dhe konsumatorët. Fatkeqësisht në këtë fushatë të padrejtë është përfshirë edhe Autoriteti i Konkurrencës. Vendimi i tij i fundit nuk bazohet në asnjë fakt, në asnjë dokument, në asnjë provë! Janë marë vendime dhe qëndrime që nuk kanë lidhje me funksionimin ligjor dhe real të këtij tregu, duke e dëmtuar atë direkt dhe indirekt”, tha Tritan Cako, në emër të shoqatës AFADA.
Më tej ai bëri të ditur se “Shoqata dhe anëtarët e saj, do të ndërmarin të gjithë hapat ligjore për t’ju përgjigjur për çdo akuze apo deklarim të qëllimshëm dhe të padrejtë, që nuk ka lidhje me të vërtetën dhe realitetin. Jemi gati për t’u ballafaquar e përballur me çdo individ dhe institucion, që synon të shkatërrojë të vërtetën këtë sektor”.
Shoqata shprehet se tregu në të cilin ato operojnë funksionon sipas vendeve të BE-së në formën e një burse.
“Duam të bëjmë të qartë, në mënyrë të përsëritur dhe me përgjegjësi profesionale dhe ligjore se, në tregun e tregtarëve të imputeve bujqësore nuk ka MONOPOL, nuk ka VENDOSJE TË BASHKËRENDUAR ÇMIMESH, nuk ka asnjë prej bizneseve tona LICENCË TË VEÇANTË, që dëmton bizneset e tjera dhe DIKTON ÇMIME në treg. Nuk ka gjithashtu asnjë EKSKLUZIVITET të fabrikave, në Europë dhe në Botë, për produkte si DAP, Ure apo Nitrat amoni. Nëse Autoriteti i Konkurrencës i ka gjetur këto, le të na i tregojë!”, theksoi Cako.
Autoriteti i Konkurrencës, tre ditë më parë gjobiti 3 firmat që merren me importin dhe shitjen e plehrave kimike në Shqipëri, pasi kanë rritur çmimet në mënyrë të menjëhershme, duke përcaktuar në mënyrë të drejtpërdrejtë çmimet e shitjes dhe duke ndarë tregjet. Ky institucion vendosi: “Gjobitjen e ndërmarrjes AGRO BLEND SHPK në shumën 118,978,015 Lekë, për shkelje të nenit 4, pika 1, gërmat a) dhe c), të ligjit nr. 9121/2003; Gjobitjen e ndërmarrjes MBM SHPK në shumën 66,088,573 Lekë, për shkelje të nenit 4, pika 1, gërmat a) dhe c), të ligjit nr. 9121/2003; Gjobitjen e ndërmarrjes CACA SHPK në shumën 7,087,994 Lekë, për shkelje të nenit 4, pika 1, gërmat a) dhe c), të ligjit nr. 9121/2003, si dhe monitorimin e tregut të importit dhe shitjes me shumicë të plehrave kimike DAP, Nitrat dhe Ure, për një periudhë 1 (një) vjeçare nga data e daljes së këtij vendimi”.
