Edhe pas dorëheqjes së Bashës, Partia Demokratike nuk po arrin dot të bashkohet pasi palët nuk po gjejnë dot gjuhën e përbashkët për të gjitha pikat ku ndahen.
Megjithatë, sot pritet të jetë hapi i parë konkret për unifikimin e PD-së pasi kryetari i Grupit Parlamentar të kësaj force politike, Enkelejd Alibeaj, autorizoi dje sekretarin e grupit të PD-së, Arbi Agalliun, që të njoftojë deputetët që këtë të enjte, një orë para seancës plenare, në selinë e Partisë Demokratike, të mblidhet Grupi Parlamentar.
Ky mesazh i Enkelejd Alibeajt u është dërguar edhe 9 deputetëve të PD-së të cilët pak muaj më parë u pezulluan për shkak të qëndrimeve të tyre, ndërsa janë lënë jashtë duke mos u thirrur në këtë mbledhje deputetët e përjashtuar Sali Berisha, Flamur Noka, Albana Vokshi, Edmond Spaho dhe Luan Baçi.
Por edhe për prezencën e të përjashtuarve në mbledhjen e kësaj të enjteje ka pasur negociata mes anëtarëve të Komisionit të Rithemelimit dhe kreut të grupit parlamentar, Alibeaj. Sali Berisha zhvilloi mesditën e të mërkurës një takim me deputetët e PD që janë pjesë e Komisionit të Rithemelimit. Në fund të takimit siguroi se ai do të jetë pjesë e mbledhjes.
Nga ana tjetër, Gazment Bardhi e komenton këtë vendimarrje të Sali Berishës si një injorim ndaj vendimmarrjeve dhe qëndrimeve të grupit parlamentar. Në përgjigjen e tij, Bardhi i kujtoi ish-kryeministrit vendimin për përjashtimin nga grupi parlamentar.
“Një parti ku nuk respektohet vullneti, qëndrimi dhe vlerësimi i Grupit Parlamentar është parti personale, por jo demokratike. Askush nuk duhet ti imponohet apo injorojë mendimin e Grupit Parlamentar, kjo është përdhosje e dinjitetit të çdo deputeti. Deputetët duhet të kenë të drejtë pa asnjë kompleks apo presion të bëjnë vlerësimin e tyre nëse një person i shpallur non grata nga SHBA duhet apo jo të jetë pjesë e grupit. Deri atëherë askush nuk mund të imponohet”, tha Bardhi.
