Gjatë një takimi me kryetarët e fshatrave dhe administratorët e Njësive Administrative të Matit kryebashkiaku Agron Malaj u ndal në parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike, ndalimin e zjarreve të qëllimshme, frenimin e dëmtimit të pyjeve dhe të ndalet shitja e shpendëve për shkak të gripit të pulave.
“Ne, tha Malaj, duhet të bëjmë të pamundurën për të parandaluar kultivimin e bimëve narkotike në territorin e Matit. Objektivi ynë duhet të jetë që këtë vit të mos mbillet asnjë bimë as në mjedise të hapura apo të mbyllura. Kryetarët e fshatrave i kanë të gjitha mundësitë të menaxhojnë si duhet territorin ku ato drejtojnë”.
Në vijim të mesazhit të kryebashkiakut Malaj edhe shefi i Komisariatit të Policisë Mat, Ervin Hasrama tha se: “Policia ka ushtruar dhe do të ushtrojë kontrolle të vazhdueshme në çdo fshat, në tunele, banesa të braktisura, sera, stalla, magazina e mjedise të tjera për të penguar kultivimin e lëndëve narkotike. Policia kërkon bashkëpunim me pushtetin lokal për përballimin e situatës”.
Malaj dhe Hasrama theksuan se edhe punonjësit e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes duhet të bëjnë kujdes dhe të evidentojnë konsumatorët që harxhojnë më shumë energji dhe që tentojnë të mbjellin bimë narkotike në mjedise të mbyllura. “Analiza e konsumit dhe humbjeve në rrjet ndihmon në zbulimin e autorëve të mundshëm”, theksuan ata.
Kryetari i Bashkisë Mat Agron Malaj u ndal në rritjen e bashkëpunimit mes të zgjedhurve lokal për ndaljen e zjarreve të qëllimshme në pyje dhe pemë frutore. Ai përmendi rastin e 9 zjarreve të qëllimshme brenda një kohe të shkurtër në masivet me gështenja në Derjan, Prell e Dukagjin.
Gjatë mbledhjes u kërkua vëmendje e shtuar për mbrojtjen e pyjeve nga individë që i dëmtojnë ato për qëllime përfitimi, duke shitur dru zjarri në Tiranë, Durrës e gjetkë.
Malaj u tha kryetarëve të fshatrave të jenë të kujdesshëm për mostregëtimin apo lëvizjen e shpëndëve derisa situata të normalizohet.

