Pas zbardhjes së vendimit të Gjykatës ditën e sotme për njohjen e statutit të Partisë Demokratike miratuar në Kuvendin e 11 Dhjetorit, Berisha ka njoftuar mbledhje të Komisionit të Rithemelimit. Mbledhja nisi në orën 13:00 në selinë blu.
Çështjet që do të diskutohen në këtë mbledhje kanë të bëjnë më deklaratën e ambasadores Yuri Kim një ditë më parë e cila njohu Enkelejd Alibeajn si ushtrues të detyrës së kryetarit dhe drejtuesit të Grupit Parlamentar të PD.
Një tjetër çështje që pritet të diskutohet ka të bëjë me situatën aktuale të PD dhe mundësinë e bashkimit të saj. Pritet gjithashtu diskutime lidhur me mbledhjen e Grupit Parlamentar. Një tjetër çështje që do të jetë në rend për t’u diskutuar lidhet me riorganizimin e partisë në bazë, me zgjedhjen e kryetarëve të degëve që pritet të mbahet më 20 Prill.
Sakaq një tjetër pikë që do të diskutohet është ajo për çështjet që lidhen me organizmin e Kuvendit Kombëtar të PD, që pritet të mbahet më datë 30 Prill, ku do të lindin institucionet e forumet e reja.
Sakaq, vendimi në fjalë është dhënë nga gjyqtari Agron Zhukri më 25 mars, i cili njohu si legjitim Kuvendin e 11 dhjetorit, të thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha, duke i hapur kështu rrugë zyrtarisht Komisionit të Rithemelimit.“Gjykata sqaron që verifikimi i legjitimimit të palëve në përputhje me nenin 176 të Kodit të Procedurës Civile është detyrim thelbësor i proceduesit civil. Në përmbushje të këtij detyrimit, Gjykata pasi kreu verifikimin e aspektit formal të akteve të përfaqësimit, duke i gjetur ato të rregullta dhe në përputhje me ligjin procedural.”, thuhet ne vendim.
Një tjetër argument në vendimin e gjykatës thuhet se: “Për shkak se në secilin mbi 4200 formularët e kërkesave të depozituara për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar, nënshkruesit e identifikonin veten përveçse me gjeneralitetet përkatëse, edhe me funksionin me të cilin mbanin në strukturat e PD. Gjykata verifikoi në radhë të parë secilin nga pozicionet e nënshkruesve, përfshihej në listën e funksioneve që përbëjnë Kuvendin Kombëtar të PD. Gjykata verifikoi edhe nëse shtetasit nënshkrues të thirrjes së Kuvendit Kombëtar përfshiheshin në listën emërore të funksionareve të PDSH, të cilët në momentin e thirrjes së tij përbënin listën e Kuvendit kombëtar. Për këtë qëllim gjykata pasi administroi provat shkresore, vrenjti se listat bashkëngjitur këtyre dokumenteve përbëjnë listën e plotë zyrtare të deklaruar të shtetasve, të cilët përbënin Kuvendit Kombëtar të PD në momentin e thirrjes së tij nga anëtarësia.”
Për sa më sipër Gjykata arrin në përfundimin se Kuvendit Kombëtar i PD-së, është thirrur në mënyrë të ligjshme nga një anëtarësh/delegatësh, më i madh se ¼ i numrit të përgjithshëm të anëtarëve të tij.
