Kryetari I Bashkisë së Tiranës Errion Veliaj deklaron se Presidenti I ri I vendit duhet të jetë një njeri dinjitoz dhe q ënuk investon në përccarjen e vendit. Në një intervistë për TV Klan, Veliaj thotë se çdo figurë që është e kundërta e Ilir Metës dhe konsiderohet dinjitoze, do të vlerësohej me seriozitet.
“Ka një grup pune në Partinë Socialiste si partia qeverisëse dhe partia më e madhe sot në Shqipëri dhe parlament që po mbledh rekomandime dhe dua t’i ftoj të gjithë qytetarët që nëse duan të rekomandojnë personalitete, njerëz që ata mendojnë që janë dinjitozë, që nuk na fusin në sherr me aleatët, që janë esëll shumicën e ditës, që nuk investojnë në përçarjen e vendit, që nuk i trajtojnë dekoratat e larta të Shqipërisë si teneqe për qoka elektorale.
Kush ka një ide për persona të këtij identikiti, që është gjithçka e kundërt me atë që është sot Ilir Meta, unë besoj do konsiderohej me shumë seriozitet. Unë besoj që në këtë vend ka burra dhe gra të mrekullueshëm. Ndonjëherë ne dëgjojmë ata që bërtasin më shumë, por nuk do të thotë që janë shumicë. Shoh në televizione njerëz që në tërmet janë inxhinierë dhe gjithologë për ndërtimin, pastaj po i njëjti person është edhe specialist epidemiolog edhe gjitholog i madh edhe për Covid-in, ndërkohë dëgjoj pastaj po të njëjtët njerëz që sot janë bërë specialistë të Ukrainës dhe Rusisë.
Nuk na duhen sharlatanë, sharlatanë kemi parë boll. Unë besoj që kur ti shikon me çfarë autoriteti qeverisi në atë post Alfred Moisiu, si identikit apo Bamir Topi i cili erdhi nga një parti politike, tha “prit pak, ti njerëz në bulevard, si këlyshë, nuk vret, kjo nuk mund të ndodhë”. Kemi pasur njerëz dinjitozë ndaj për sa kohë Shqipëria në ditët më të vështira ka prodhuar më të mirët e vet të vijnë në shërbim të publikut, unë besoj që çdo njeri është ndryshe nga karikatura që pamë Ilir Metën në 5 vitet e fundit, do ishte shumë i mirëpritur të vetëofrohej ose rekomandohej nga të tjerë”, thekson Veliaj.
Ndër të tjera, ai nuk e përjashtoi mundësinë e ardhjes së një gruaje në karrigen e presidentit.
“Ka plot edhe shumë zonja që mund ta bënin fare mirë këtë punë dhe për sa kohë shumica e këshillit bashkiak janë zonja, shumica e bashkisë janë zonja, mbi 70% e qeverisë janë zonja ndaj s’e përjashtoj fare që një zonjë e nderuar të jetë kryetarja e ardhshme e shtetit dhe të na bashkojë. Jo të na përçajë dhe me aleatët të mos fillojë luftëra imagjinare me dronë e male me gropa dhe mundësisht të jetë esëll pjesën më të madhe të ditës për të bërë një punë dinjitoze”, shprehet Veliaj.
Veliaj shprehet se pozicione të tilla nuk mund të trajtohen si qoka për shkak të rëndësisë që mbajnë. Kryebashkiaku i Tiranës përmendi ndër to ndërrimin e ambasadorëve në kryeqytetet e botës, të cilët qëndrojnë të njëjtët për vite me radhë sepse presidenti aktual nuk ka zbatuar kompetencat e tij.
“Ta trajtojmë si qokë presidencën për ata që kanë dhënë dëshmi që një ditë thjesht të lënë në derë dhe ikin, më duket mungesë respekti ndaj qytetarëve që presin president/e që i bashkon dhe rri aty, i drejton në kohë krize. Ne kemi kompetenca të presidentit për trupin diplomatic.Kemi vite pa ndërruar ambasadorët, në shumicën e kryeqyteteve të botës kur takoj homologët më thonë “ç’janë këta ambasadorë nga 7-8 vjet, s’keni njerëz apo çfarë ka ndodhur?” Si t’ia shpjegosh atyre që nuk i drejton Ilir Meta? Na duhen njerëz dinjitozë të shërbimit diplomatik, na duhet një komandant i Forcave të Armatosura. Je mirë e bukur, por ndodh diçka si ajo në Ukrainë dhe ti thua “kë kemi komandant ne?” Opozita është e mirëpritur të propozojë njerëz jo partiakë. Një gjë është e sigurt. Nuk do jetë politikan i Partisë Socialiste, sigurisht që do kërkojmë një figurë përbashkuese, por qokë për një opozitë që ikën nga përgjegjësitë dhe lë çdo lloj detyre në mes nuk kemi luksin ta bëjmë. Se nuk jetojmë në kohë që e kemi luksin për qoka dhe llastime të asaj që ju quani opozitë pavarësisht se cilës copë i referoheni”, nënvizon Veliaj.
