Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi mbajti fjalën e tij në Kongresin e PS, ku ndër të tjera i’u përgjigj edhe Ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja, pas deklaratës që ky i fundit dha lidhur me situatën aktuale të partisë me strukturat në terren. Manja u shpreh se partia ka rënë në gjumë në terren dhe gjithçka e pret nga Edi Rama, por Çuçi nuk e la pa thumbuar kolegun e tij për këtë deklaratë duke i thënë se me këtë fjali, ai i ishte dukur sikur ishte anëtar i “Grupit të Rithemelimit” .
Sipas Bledi Çuçit, strukturat e Partisë Socialiste në Dibër thuajse nuk janë ekzistente, por sipas tij në qytete të tjera situata është ndryshe. Si shembull ai përmendi qytetin e Beratit, për të cilin tha se strukturat aty funksionojnë më së miri.
“Duke dëgjuar Ulsiun dukej sikur po dëgjoje një anëtar të Rithemelimit. Dhe Partia nuk ekziston fare. Në fakt edhe ka të drejtë edhe nuk ka të drejtë. Të them të drejtën po të vë syzet e Ulsiut që i mora në Dibër, është realitet me tonin që e përshkroi këtu. Partia atje në Dibër thuajse nuk ekziston fare. Por nuk është kështu në të gjithë vendin. Se në Berat është model i kundër me Dibrën”, tha Çuçi.
