Prej shtatorit Edona Bilali po ushtron detyrën e Ministres së Shteti për Mbrojtjen e Sipërmarrjes dhe njëherësh edhe drejtuese politike e qarkut Shkodër për PS. Por ndërkohë që Kongresi vijonte punimet, Edona nisi festën në një nga lokalet e Kryeqytetit edhe pse mazhoranca nuk arriti ta fitonte Bashkinë e Shkodrës përballë një PD-je të përçarë.
Sikurse mund të shihni edhe në këtë video, në fund të saj Edona thotë se i duhet të largohet pasi do i bashkohet miqve të saj për të festuar në një nga lokalet e kryeqytetit.
“Unë nuk po e zgjas shumë sepse siç e shihni pjesa e Shkodrës është bosh. Ne kemi një veçanti, festojmë çdo rast, edhe sot mesazhet i kam plot. Edhe tashmë partia ka shkuar në një lokal këtu afër dhe më presin për festë pasi votimin e bëmë, Kongresin e kryem dhe tani festojmë…”, do të shprehej Bilali.
Duket se për një veprim të tillë ministrja është penduar pasi ka vendosur që të shkurtojë fjalën e vet që ka të publikuar në Facebook, duke e hequr këtë pjesë kur thotë se po shkon të festojë.
Po pse e hoqi këtë pjesë nga videoja e saj në Facebook?
Nuk dihet nëse Edona e ka zgjedhur vetë ta shkurtojë fjalën e saj apo dikush ka vendosur t’i “tërheqë” veshin ndonëse Sekretari i Përgjithshëm Gjiknuri u përpoq ta justifikonte mungesën e saj.
Bilali është bërë një emër i njohur në publik, jo aq për punën e saj në qeveri sesa për deklaratën që e bënte Zeus, Kryeministrin Rama apo komentet për festë në kongres.
