Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme ka liruar nga detyra konsullin shqiptar në Janinë, Pervin Gjikuria, pas hetimit administrativ për skandalin e transportit të pasaportave.
Burime nga MEPJ bëjnë të ditur se ndaj Gjikurisë janë konstatuar një sërë shkeljesh sipas hetimit, dhe për këtë është kërkuar lirimi i tij nga detyra. Ndërsa për ambasadoren tonë në Athinë, Ardiana Hobdari nuk ka përfunduar ende hetimi, dhe procedura e shkarkimit të saj ligjërisht ka tjetër formë.
Sipas këtyre burimeve, javën e ardhshme pritet të përfundojë hetimi ndaj Hobdarit, e do të vendoset më pas nëse kryeministri Edi Rama, që ka dhe firmën e vulën e MEPJ-së, do i propozojë presidentit Meta shkarkimin e Hobdarit.
Një muaj më parë në media u raportua se pasaportat e emigrantëve shqiptarë në Greqi transportoheshin me autobuza të linjës Tiranë-Athinë. Vetë konsulli Gjikuria, në atë kohë, për gazetën “Panorama” tha se nuk ka qenë postë diplomatike. “Është vetëm një proces i cili është në vijim dhe që do të zgjidhet për shumë pak kohë. Nuk kemi të bëjmë me sekuestrim, por vetëm me verifikim. Sepse ka një procedurë të caktuar se si kalojnë dokumente të kësaj natyre nga një shtet në një shtet tjetër. Nuk ishte postë diplomatike, nuk ka asgjë për tu shqetësuar”, ka thënë ai më 21 shkurt.
Një ditë pas publikimit të skandalit, MEPJ në një komunikatë për mediat, ka shpjeguar të gjithë itinerarin e transportit të pasaportave, ndërkohë që theksuar se pako e pasaportave u vodhën nga makina e konsullit.
Lexo edhe:
Vjedhja e pasaportave, MEPJ ia le përgjegjësinë ambasadës dhe konsullit në Greqi
Skandal i MEPJ/Pasaportat e emigrantëve transportohen me autobusë