CNN ka bërë 6 sugjerime për destinacionet turistike për sezonin veror 2022, ku mes tyre ndodhet edhe Shqipëria me Kosovën. Mes të tjerash, vendi ynë dhe Kosova janë përzgjedhur pasi konsiderohen si vende me risk të ulët rreziku nga pandemia e Covid-19.
“Njerëzit që duan të bëjnë një udhëtim në Evropë, por duan të shmangin destinacionet me rrezikun më të lartë, kanë vetëm disa zgjedhje : Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova, të gjitha në Gadishullin Ballkanik ose Armenia, në rajonin malor të Kaukazit”, ka shkruar CNN.
Prestigjozja amerikane e ka bërë këtë artikull bazuar në analizat e Qendrave Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, të cilat kanë kategorizuar vendet sipas rrezikshmërisë nga Covid dhe masave anti-Covid, duke i ndarë në 4 nivele.
Megjithatë, Qendrat Amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve nuk kanë shtuar asnjë destinacion të ri në kategorinë e nivelit 4 të rrezikut më të lartë për udhëtime.
Ndërkohë, 7 destinacione në kontinentin Aziatik dhe Karaibe u zhvendosën në kategorinë me rrezik më të ulët të CDC-së për udhëtime gjatë pandemisë, që është Niveli 1.
Kurse një pjesë e konsiderueshme e vendeve të Evropës mbeten ende në Nivelin 4, pra me risk të madh. Për shembull, Britania e Madhe është në nivelin 4 që nga 19 korriku i vitit 2021.
Kjo e vendos gjithë Mbretërinë e Bashkuar, pra Anglinë, Skocinë, Uellsin dhe Irlandën e Veriut të gjitha në kategorinë e rrezikut “Shumë të lartë” për Covid-19.
CDC cakton një destinacion me rrezik të Nivelit 4 kur më shumë se 500 raste për 100,000 banorë regjistrohen në 28 ditët e fundit. Shumë nga emrat e shteteve të mëdha në Evropë mbeten në Nivelin 4 edhe me fillimin e sezonit të udhëtimeve pranverore.
