Autoritetet në Ukrainë po hetojnë rreth një pretendimi se në qytetin e Mariupolit është hedhur një substancë helmuese. Ky zhvillim pason paralajmërimet që zyrtarët perëndimorë bënë të martën se përdorimi i armëve kimike nga Rusia do të ishte një përshkallëzim serioz i luftës tashmë shkatërruese.
Pasi hasi pengesa në arritjen e ambicies së tij të qartë për të pushtuar kryeqytetin ukrainas, Presidenti rus Vladimir Putin tashmë po grumbullon forcat për një ofensivë të re në rajonin lindor të vendit, në Donbas. Ai këmbënguli të martën se fushata e tij do të vazhdojë derisa të arrijë qëllimet e saj. Zoti Putin tha se Rusia nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të niste atë që ai e quan “një operacion special ushtarak” duke shtuar se ajo synonte të mbronte civilët në Donbas, një rajon kryesisht rusishtfolës.
Ndërsa forcat ukrainase po përgatiten për një sulm të ri, zëvendësministrja e Mbrojtjes Hanna Maliar tha se ishte e mundur në Mariupol të ishin përdorur municione, që përmbanin fosfor, të cilat shkaktojnë djegie të rënda, por që nuk klasifikohen si armë kimike. Qyteti shtrihet në rajonin e Donbasit dhe për gjashtë javë ka qenë objekt i goditjeve të forta nga trupat ruse që sikurse tha kryebashkiaku i tij, kanë shkaktuar vdekjen e më shumë se 10,000 civilëve.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha të hënën ne mbrëmje se forcat ruse mund të kenë përdorur armë kimike në qytet, duke i bërë jehonë paralajmërimeve të ngjashme, të përsëritura nga zyrtarët perëndimorë. Po kështu udhëheqës si brenda ashtu edhe jashtë vendit thanë se po hetonin me urgjencë pretendimet e pakonfirmuara nga një regjiment ushtarak ukrainas, se ndaj luftëtarëve në Mariupol ishte përdorur një substancë helmuese.
Sekretarja e Jashtme britanike Liz Truss tha se përdorimi i armëve kimike do të ishte një përshkallëzim i mëtejshëm i konflikt ndërsa ministrja e Jashtme australiane Marise Payne tha se do të ishte një shkelje në shkallë të gjerë e ligjit ndërkombëtar.
Përballë rezistencës së ashpër nga forcat ukrainase, të përforcuar nga armët perëndimore, trupat ruse janë mbështetur gjithnjë e më shumë në bombardimin e qyteteve, duke rrafshuar shumë zona urbane dhe duke lënë mijëra njerëz të vdekur. Në zona të tjera ata janë tërhequr për t’u riorganizuar.
Tërheqja e tyre nga qytetet dhe qytezat përreth kryeqytetit, Kievit, çoi në zbulimin e një numri të madh civilësh të masakruar, çka nxiti një zemërim të gjerë ndërkombëtar dhe akuza ndaj Moskës se po kryen krime lufte në Ukrainë. Lufta ka detyruar më shumë se 10 milionë ukrainas të largohen nga shtëpitë e tyre, gati dy të tretat e të cilëve fëmijë.
Megjithatë, ekziston frika për akte mizore edhe më të gjera në ditët në vazhdim, mes shenjave se ushtria ruse po përgatitet për një ofensivë të madhe në Donbas. Një zyrtar i lartë amerikan i mbrojtjes foli të hënën për një autokolonë të gjatë ruse që po udhëtonte drejt qytetit lindor të Izyumit, mbështetur nga forca të artilerisë, aviacionit e këmbësorisë.
Gjatë një vizite në Lindjen e Largët të Rusisë zoti Putin këmbënguli se operacioni ushtarak do të triumfonte dhe se fuqitë e huaja nuk do të kishin sukses në izolimin e Rusisë. Ai tha se ekonomia dhe sistemi financiar i Rusisë i kanë rezistuar goditjes nga sanksionet perëndimore dhe pretendoi se ato do të jepnin rezultatin e kundërt duke çuar në mungesën e artikujve ushqimorë e rritje të flukseve të migracionit në Perëndim.
Donbasi është goditur rëndë nga luftimet mes separatistëve aleatë të Rusisë dhe forcave ukrainase që nga viti 2014, dhe Rusia ka njohur pretendimet e separatistëve për pavarësi. Ekspertët ushtarakë thonë se udhëheqësit rusë duket se shpresojnë se mbështetja lokale, logjistika dhe terreni në rajon favorizojnë ushtrinë më të madhe dhe më të armatosur të Rusisë, duke u dhënë trupave të saj mundësinë të ndryshojnë rrjedhën e zhvillimeve në favor të tyre.
Duke folur mbi një betejë që po ndodhte rreth një fabrike çeliku në Mariupol, një zyrtar separatist, aleat i Rusisë, u duk se nxiti përdorimin e armëve kimike të hënën, duke thënë në televizionin shtetëror rus se forcat separatiste duhet ta merrnin nën kontroll fabrikën duke bllokuar fillimisht të gjitha daljet.
Por Eduard Basurin u citua nga agjencia e lajmeve Interfax të martën të ketë thënë se forcat separatiste nuk kanë përdorur asnjë armë kimike në Mariupol.
Ishte regjimenti ukrainas që mbronte fabrikën që pretendoi se një dron kishte hedhur një substancë helmuese në qytet, por shtoi se nuk bëhej fjalë për lëndime serioze. Pohimi i Regjimentit të Azovit, një grup i ekstremit të djathtë tashmë pjesë e ushtrisë ukrainase, nuk mund të verifikohej në mënyrë të pavarur.
Zonja Truss tha se Mbretëria e Bashkuar po punonte urgjentisht për të hetuar rreth njoftimeve, ndërsa zëdhënësi i Pentagonit John Kirby tha në një deklaratë se Shtetet e Bashkuara nuk mund të konfirmonin këtë njoftim.
Por zoti Kirby vuri në dukje shqetësimet e vazhdueshme të administratës mbi potencialin e Rusisë për të përdorur në Ukrainë një sërë substancash, përfshirë gazin lotsjellës të përzier me agjentë kimikë. Britania, ndërkohë, ka paralajmëruar se Rusia mund të përdorë bomba fosfori në Mariupol, përdorimi i të cilave në zonat civile është i ndaluar sipas ligjit ndërkombëtar.
Ky qytet është ndeshur me disa nga sulmet më të rënda që kanë shkaktuar vuajtje tek popullata civile. Nga ana tjetër sulmet tokësore, detare dhe ajrore nga forcat ruse që luftojnë për të marrë kontrollin e Mariupolit, e kanë kufizuar gjithnjë e më shumë mundësinë për të marrë informacion rreth asaj që po ndodh brenda qytetit.