Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka zhvilluar sot një takim me një grup të rinjsh të programit të OSBE-së në Shqipëri “Youth Trail”, në të cilin merrte pjesë edhe Ambasadori i OSBE-së në vendin tonë, Vincenzo Del Monaco.
Në fjalën e tij, presidenti Meta u ka dhënë një mesazh të rinjve, duke i kërkuar atyre të jenë të bashkuar dhe të marrin në dorë fatet e tyre.
“Ka ardhur koha për një zgjim dhe shkundje të rinisë, për të marrë në dorë fatet e saj dhe të së ardhmes së vendeve të Ballkanit Perëndimor. Për këtë është e domosdoshme që rinia të jetë e bashkuar dhe ndërvepruese, veçanërisht për të nxitur llogaridhënien në çdo nivel dhe refuzuar politikat qeverisëse, që nuk i dëgjojnë, nuk i përfshijnë dhe nuk ju japin asnjë mundësi për të shpalosur potencialet e tyre”, deklaroi presidenti.
Gjithashtu, kreu i shtetit tha se një shqetësim i madh për Shqipërinë është largimi i të rinjve dhe shpopullimi që sjell një lëvizje e tillë për vendin tonë, ndërsa rikthimin e shpresës tek kjo grupmoshë, ai e quajti një domosdoshmëri.
“Shqetësimi im i madh është shpopullimi, veçanërisht largimi i të rinjve, që përbën një kërcënim mjaft serioz për të ardhmen e vendeve tona, veçanërisht të Shqipërisë. Është thelbësore të rikthejmë shpresën dhe besimin tek të rinjtë, për t’u krijuar të gjitha hapësirat për të ndërtuar në vendin e tyre, të ardhmen e sigurt europiane”, theksoi ai.






