Mbrëmjen e djeshme, disa të shtëna me armë zjarri u dëgjuan në afërsi të fshatit Bube të Komunës së Zubin Potokut, në afërsi të kufirit Kosovë-Serbi. Policia e Kosovës ka reaguar lidhur me ngjarjen, duke konfirmuar se është duke ndërmarrë veprime.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, foli për “Gazetën Express”, ku deklaroi se deri tani nuk dihet nëse të shtënat kanë ardhur nga territori i Serbisë apo i Kosovës. Po ashtu, ai garantoi se të shtënat nuk lidhen me ndonjë rast policor.
“Bazuar në informacionet e deritanishme, mund të ju informojmë se në afërsi të fshatit Bube, janë dëgjuar disa të shtëna me armë. Të shtënat nuk ndërlidhen me ndonjë rast policor dhe se ende nuk dihet nëse rasti ka ndodhur në pjesën e Republikës së Kosovës apo të Serbisë”, u shpreh Kelani.
