Televizioni shtetëror rus, “Rossiya 1”, ka thënë gjatë një transmetimi se Lufta e III Botërore sapo ka filluar.
Gazetarja Olga Skabeyeva u tha shikuesve se ofensiva e përshkallëzuar mund të quhet me plot gojë Luftë e III Botërore.
“Ne patjetër që po luftojmë kundër infrastrukturës ushtarake të NATO-s, edhe pse jo drejtpërdrejt me aleancën. Kjo duhet pranuar”, tha Skabeyeva.
Kjo deklaratë sipas medias britanike Mirror, vjen pasi u bë e qartë nga Moska se ka humbur një agjent të inteligjencës në Ukrainë, duke i dhënë një goditje të madhe spiunazhit elitar të Kremlinit.
Kapiteni Alexey Bogomolov, i regjimentit të 25-të të veçantë të forcave speciale të GRU (Stavropol), u vra gjatë një konflikti, zbuluan mediat në Rusi.
Komentatori ushtarak Dmitry Drozdenko tha në Channel 1 : “Në fakt, një luftë e plotë në shumë nivele është duke u zhvilluar me Perëndimin. Dhe Perëndimi ka kohë që po përgatitet për luftën”.
Prezantuesja Olesya Loseva,u tha shikuesve se Perëndimi tani po furnizonte “miliona armë” në Ukrainë.
“Ata pretendojnë se Rusia është një vend jo i denjë për të qenë në hartën e botës dhe se të gjithë rusët duhet të fshihen nga faqja e dheut”, tha ajo.
“Ukrainasit vetë janë ndërgjegjësuar. Ata nuk po shikojnë gjenocide, madje në Kharkiv, po i mirëpresin ushtarët tanë si çlirimtarë të vërtetë. Njerëzit po dalin me flamuj rusë në duar dhe po na mbështesin”, pretendoi gazetarja e njohur.
