Mediat kanë publikuar pamje të marra nga kamerat e sigurisë që tregojnë 2 persona që hipin në një makinë dhe që dyshohet të jenë ata autorët e dhunimit të kancelarit të gjykatës Elbasan, Ledio Sulkuqi, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e 10 prillit në lagjen Aqif Pasha.
Pasi dhunuan kancelarin, 2 të rinjtë me shkopinj në duar vrapojnë drejt një makine tip Golf të parkuar në zonë dhe largohen menjëherë.
Media që publikoi pamjet e kamerës së sigurisë thotë se nga këqyrja e këtyre pamjeve, por edhe të tjerave në zonë, policia ka mundur të identifikojë një prej të dyshuarve dhe ta shpallë atë në kërkim.
Sipas të njëjtave burime, 24-vjeçari i shpallur në kërkim ka lidhje me një person me precedent të theksuar në Elbasan dhe dyshohet se ai të ketë urdhëruar sulmin ndaj kancelarit pasi ky i fundit nuk e ka njoftuar për një çështje gjyqësore të tij.