Thuhet se javën e ardhshme, familja e futbollistit Kylian Mbappe do të udhëtojë në Madrid për t’u takuar me drejtuesit e Realit. Kohët e fundit, kanë qarkulluar shumë zëra se sulmuesi francez do të bashkohet me “Los Blancos” në merkaton e kësaj vere, pasi kontrata e tij me Paris Saint-Germain skadon më 30 qershor.
Ndërkaq, nga sa bën me dije “RMC Sport”, takimi mes familjarëve të Mbappe dhe drejtuesëve të madrilenëve do të jetë mbi të drejtat e imazhit të yllit francez në rast se ai vendos të nënshkruajë për Real Madridin këtë verë.
E ëma e Mbappesë, Fayza Lamari, ishte këtë javë në Doha të Katarit, ku ka zhvilluar takime të ndryshme me presidentin e PSG-së, Nasser Al-Khelaifi.
Nga ana e saj, PSG po përpiqet të përparojë sa më shumë me përpjekjet e saj për ta bindur atë të nënshkruajë një marrëveshje të re, dhe mesa raporton “RMC Sport”, parizienët janë optimistë.
Megjithatë, familja e Mbappes dëshiron të dëgjojë të dyja palët për të pasur të gjithë informacionin në dispozicion në mënyrë që vetë 23-vjeçari të marrë vendimin përfundimtar.
Real Madridi është gjithashtu i bindur se mund të sigurojë nënshkrimin e një lojtari që nuk e ka fshehur ëndrrën e tij për të luajtur për klubin.
Mesazhet e Mbappes në muajt e fundit kanë qenë të paqarta. Më parë, deklaratat e tij dukeshin si një lamtumirë për PSG-në, por së fundmi ai duket se i ka hapur derën për një kontratë të re.
