Taulant Dedja, një emër shumë i njohur dhe i rëndësishëm i Partisë Socialiste, ish -deputet i saj, ish- prefekt i Tiranës, ish- zëvëndës ministër, i dërguari i qeverisë për menaxhimin e krizës në Kosovë, i njohur për qëndrimet e tij kritike dhe antikonformiste ka reaguar ashpër kundrejt liderit historik të PS, Fatos Nanos.
Reagimi i plotë i Taulant Dedjes:
Pasi kish marrë vesh se Nano është ftuar në Kongresin e 23 Marsit nga Rama, një miku im gazetar në Toronto më pyeti nëse ka shanse që Nano ta kthejë sërish Kongresin në KPD-në famshme që mbajmë mend të gjithë … Nuk mendoj se mund të përsëritet KPD e famshme duke njohur mirë nga afër deri në detaje PS prej shtator 1994 deri në Maj 2008 … Nëse situata ka degraduar deri këtu, përgjegjësi kryesor është Fatos Nano (megjithë respektin maksimal që kam për të si ish-profesori im, ish-kryetari i partisë time si deputet dhe ish-kryeministri me të cilin kam punuar nga afër) i cili nuk erdhi në Kongresin e prillit 2007 me shpresën se do bëhej president. U gënjye nga Gramoz Ruci. Ja kam thënë me sms Nanos atë ditë qe nëse nuk vjen në Kongres nuk do bëhesh president dhe ashtu ndodhi. Nuk u miratua Rezoluta e 15 deputetëve dhe në fund të gjitha organet e zgjedhura të PS u shkrinë për ti hapur rrugë marrjes nën kontroll të ish-PS (për mua PS u shkri atë ditë dhe nga ai moment jam deklaruar deputet i pavarur) përfundimisht nga Edi Rama i cili filloi eliminimin me pas një e nga një të të gjithë drejtuesve dhe figurave të PS që nuk mendonin si ai. Nëse Nano e konsideron ende PS “femijën” e tij le ti bëjë fresk Ramës duke vajtur në Kongres, siç hoqi dore në shtator 2007 nga krijimi i grupit parlamentar “Lista Nano” që do kish qënë forca e tretë politike në parlament … por përsëri e gënjeu Ruçi për fat të keq të tij, por mbi të gjitha për fat të keq të Shqipërisë! Unë sot i bëj thirrje Nanos të mos bëhet “patericë” e Edi Ramës!
