Kohëve të fundit ka patur një sërë përplasjesh mes ambasadores amerikane Yuri Kim dhe ish-kryeministrit Sali Berisha, ku ky I fundit jo pak here e ka sulmuar kryediplomaten e SHBA-ve në Tiranë. Madje jo më larg se dje, Berisha e akuzoi Kim se kjo e fundit ka ndërhyrë në procesin e drejtësisë, lidhur me pranimin e ankimimit të bërë ndaj vendimit të gjyqtarit Agron Zhukri, nga Enkelejd Alibeaj.
Gjithashtu, në reagimin e djeshëm, Berisha i bëri thirrje Departamentit Amerikan të Shtetit që të reagojë lidhur më qëndrimet e mbajtura nga ambasadorja Kim.
Ndërkaq, DASH ka reaguar sot për “Top News”, duke thënë se sulmet e pajustifikuara ndaj Ambasadores të SHBA në Tiranë nuk përfaqësojnë popullin shqiptar.
“Sulmet e pajustifikuara ndaj Ambasadores të SHBA në Tiranë, përfaqësueses personale të Presidentit të Shteteve të Bashkuara, nuk përfaqësojnë popullin shqiptar. Ata që përfshihen në korrupsion ose minojnë demokracinë duhet dhe do të mbajnë përgjegjësi”, theksohet në përgjigjen e DASH.
