Qese me drogë në tokë dhe sera me kanabis, këto shfaqen në pamjet e sjella nga policia për aksionet e zhvilluara për goditjen e shitjes dhe prodhimit të lëndëve narkotike gjatë kësaj jave.
“Janë zhvilluar 3 operacione të mëdha, për goditjen e shitjes dhe trafikimit të lëndëve narkotike: megaoperacioni “Knock doën”, i zhvilluar nga DVP Korçë, me 101 persona të proceduar, nga të cilët 31 me masë sigurie “Arrest në burg” dhe 70 të proceduar në gjendje të lirë; operacioni “Taxi”, i zhvilluar nga DVP Tiranë, gjatë të cilit u sekuestrua rreth 1 kilogramë kokainë dhe operacioni “Restart 7”, po nga DVP Korçë, gjatë të cilit u sekuestruan rreth 40 kilogramë kanabis”, njofton policia.
“Për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike janë zhvilluar 4 operacione dhe 1 megaoperacion për kontrollin e territorit, gjatë të cilëve është evidentuar 1 laborator që shërbente për kultivimin e kanabisit me anë të llambave, 1334 fidanë narkotikë dhe pajisje të ndryshme elektrike që shërbejnë për kultivimin e bimëve narkotike në ambiente të mbyllura dhe në sera”.
Gjithashtu, policia njofton se gjatë operacioneve janë sekuestruar në total rreth 40.5 kg cannabis, rreth 1 kg kokainë, doza me heroinë, qindra fara kanabisi dhe fidanë narkotikë, 30 automjete, 63 celularë, monitorë për lojëra fati, shuma parash dhe mallra kontrabandë.
