Ditën e nesërme, Partia Demokratike pritet që të organizojë një mbledhje të Grupit Parlamentar të saj ku në fokus të diskutimeve do të jenë: kriza e brendshme dhe emri i ri i Presidentit të Republikës. Gjithashtu, në këtë mblehdje parashikohen debate të forta përsa i përket vendimit të fundit të Gjykatës së Apelit Tiranë, e cila vendosi të pranojë kërkesën e Enklejed Alibeajt për ankimin e vendimit nga Gjykata e Tiranës, që njeh “Rithemelimin” si drejtues zyrtar të Partisë Demokratike.
Kujtojmë se në dy mbledhjet, Enkelejd Alibeaj është sulmuar nga Sali Berisha dhe Rithemelimi, pasi sipas tyre ai nuk është përfaqësues i denjë për të qëndruar në krye të Grupit Parlamentar.
Madje, Berisha ka hedhur akuza të forta duke deklaruar se pranimi i ankimimit të bërë nga Enkelejd Alibeaj është marrë nën presion edhe të ambasadores amerikane në Tiranë, Yuri Kim. Lidhur me këtë, ish-kryeministri u shpreh se do i drejtohet autoriteteve të SHBA-së për t’i informuar lidhur me aktivitetin e diplomates Kim.
“Nuk besoj se ka pasur një shkelje më të rëndë për vlerat mbi të cilat qëndrojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e lira. Nuk besoj kurrë se ky është një orientim, një parim i vendit të saj të Lirisë. Ky është një akt individual për të cilin ne në mënyrë absolute do të informojmë me hollësi autoritetet e SHBA-së” tha Berisha.
Referuar gjithnjë pretendimeve të Berishës, vendimi i Apelit për të pranuar ankimin është në shkelje të ligjit pasi Alibeaj nuk është pale në këtë proces.
“Një gjykatëse vendosur dje të shkruajë ligjin e shtetit, në një akt që tejkalon jashtë çdo imagjinate. Nën një presion të tmerrshëm, ndaj të cilit një njeri që ka minimumin e minimumit të karakterit nuk ja lejon vetes. Kjo është e qartë si drita e diellit” vijoi Berisha.
Pavarësisht se e drejta për të drejtuar PD-në është në proces gjyqësor, Komisioni i Rithemelimit vijon të zhvillojë zgjedhjet në degët e PD-së. Sali Berisha së bashku me bashkëshorten e tij, votoi këtë të shtunë në selinë blu, për kryetarin e degës 2 të Tiranës.
Ndërkohë janë duke u zhvilluar zgjedhje edhe në 13 degë të tjera të vendit.
