Kastrioti vijon të bëjë paraqitje të mira në kampionatin shqiptar, ku në 6 ndeshjet e fundit ka grumbulluar 6 fitore. Krutanët kanë gjunjëzuar para tyre edhe ekipet kryesuese, ku viktima e tyre e fundit ishte Tirana.
Ndeshja e radhës për të besuarit e Çelës ndodhet 6 pikë larg vendit të 8 e cila është zona “play out”, vend ku momentalisht ndodhet Egnatia, që do të jetë dhe rivali i tyre i radhës në javën e 31-të të Abissnet Superiore. Në fakt, sfida ndaj rrogozhinasve konsiderohet si pengesa e fundit dhe më e rëndësishmja në këtë fazë të katërt, nga e cila krutanët mund të sigurojnë akoma më shumë qëndrimin në elitë.
Ndërkohë, ekipi i Kastriotit ndodhet në mënyrë të pabesueshme edhe 6 pikë larg vendit të tretë që mbahet nga Kukësi, një pozicion që të dërgon direkt në Evropë. Po ashtu, krutanët gjenden vetëm 3 pikë larg vendit të katërt, që sërih mund t’i dërgojë në arenën europiane në rast se skuadra e Laçit fiton Kupën e Shqipërisë.
Kjo paraqitje e skuadrës krutane është një befasi, pasi askush nuk e imagjinonte që ata do të arrinin deri këtu duke qënë se Kastrioti nuk i ka plotësuar kushtet për licencimin. Në këtë mënyrë, në çdo skenar të mundshëm Evropa mbetet një tabu, fakt që e pranoi edhe zëvendës trajneri Bekim Kuli pas ndeshjes me Tiranën.
