Ish-ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Gazmend Pula, ka dalë në mbështetje të agresionit rus në Ukrainë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale ish-ambasadori është shprehur hapur “pro”, Putinit dhe kundër Perëndimit, të cilët sipas tij e futën Ukrainën në luftë.
I kontaktuar nga mediat vendase, Pula ka pohuar se ky postim është bërë nga vetë ai, mirëpo është interpretuar keq nga mediat.
“Profili im është profili im, por mbështetja është interpretimi juaj”, ka thënë Pula.
Pula kishte postuar një video ku shiheshin trupat ruse të udhëhequra nga kreu i Çeçenisë, Ramazan Kadyrov, duke iu gëzuar pushtimit të Mariupolit, qytetin shumë të rëndësishëm strategjikisht për Ukrainën.
“Trupat çeçene të Ramazan Kadyrov festojnë çlirimin e Mariupolit”, shkruan ai krah videos.
Gazmend Pula ka shërbyer si ambasador i Kosovës në Shqipëri në vitet 2009-2010, i cili u dorëhoq nga posti për shkaqe shëndetësore.

