Policia e Pogradecit ka vënë në pranga 5 persona të cilët kanë lidhje me plagosjen e Johan Muçllarit ditën e djeshme në Pogradec. Të arrestuar për moskallëzim krimi janë Fatjon Bono 21 vjeç, Kristian Kresto, Hekuran Gjona, Ledion Shkullaku dhe Rudi Shaho.
Policia njofton se bazuar në provat e grumbulluara, rezulton se këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin, me automjete dhe me veprime aktive, dyshohet se kanë ndihmuar autorët e dyshuar të ngjarjes, që të largohen nga vendngjarja.
“Në vijim të punës hetimore për dokumentimin e plotë të ngjarjes së ndodhur pasditen e djeshme, në qytetin e Pogradecit, ku shtetasit F. B., 21 vjeç dhe G. M., 20 vjeç, banues në Pogradec, gjatë një konflikti, tentuan të vrisnin me armë zjarri tip pistoletë shtetasin J. M., 22 vjeç, banues në Pogradec, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec bënë arrestimin në flagrancë, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”, të shtetasve: B., 32 vjeç, banues në fshatin Vërdovë, Pogradec; K. K., 26 vjeç; H. Gj., 22 vjeç; L. Sh., 27 vjeç; R. Sh., 28 vjeç, banues në Pogradec. Nga provat e grumbulluara rezulton se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, me automjete dhe me veprime aktive, dyshohet se kanë ndihmuar autorët e dyshuar të ngjarjes, që të largohen nga vendngjarja”, njofton policia.
Sekuestrohen 3 makina që janë përdorur nga autorët për tu larguar. “Në cilësinë e provës materiale u gjet dhe sekuestrua automjeti tip “Volkswagen Golf”, në përdorim të shtetasit F. B., i cili është përdorur në ngjarje, si edhe automjetet tip “Benz” dhe “BMW X5″, me të cilët janë ndihmuar shtetasit F. B. dhe G. M., për t’u larguar nga vendi i ngjarjes”.