Tifozët e Eintracht kanë sulmuar sot në Frankfurt një grup tifozësh të West Hamit, të cilët kanë mbërritur në Gjermani një ditë para ndeshjes së kthimit të gjysmëfinales së Europa League.
Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e sotëm në një lokal ku janë mbledhur tifozë të klubit anglez, ku njëri prej tyre ka mbetur i plagosur lehtë dhe është trajtuar në spital.
Dy furgona janë ndalur para lokalit dhe prej tyre kanë dalë 15 deri në 20 persona të cilët kanë hyrë në lokal dhe kanë sulmuar tifozët e West Hamit.
Sipas dëshmitarëve, sulmuesit ishin tifozë të Eintracht-it të cilët hipën në furgona pas sulmit dhe u larguan nga vendi i ngjarjes. Policia tha se nuk kishte arritur t’i gjente furgonët, por kishin targa lokale.
Kujtojmë, në ndeshjen e parë në Londër, Eintracht fitoi 2-1. Në prag të revanshit, tensionet janë rritur pasi të dyja skuadrat presin prej më shumë se 40 vitesh një vend në finale e një kompeticioni Europian.