Shumë yje të futbollit ishin të pranishëm në funeralin e agjentit të njohur, Mino Raiola në Monte Carlo për të bërë nderimet e tyre të fundit për të dhe për ta përcjellë për në banesën e tij të fundit.
Futbollistë si Zlatan Ibrahimovic i Milanit, Gianluigi Donnarumma i PSG-së apo Erling Haaland i Borussia Dortmund morën pjesë në shërbimin e djeshëm për njeriun që i përfaqësoi ata. Por ata s’ishin të vetmit. Në ceremoninë mortore ndodheshin gjithashtu edhe Nedved, Kluivert, Verratti etj.


Superagjenti Mino Raiola vdiq të shtunën pas një beteje me sëmundjen në moshën 54-vjeçare. Vitet e fundit, ai kishte jetuar në principatë.
Kujtojmë se në fillim të këtij viti, Raiola qëndroi në spital ku i’u nënshtrua një operacioni shumë delikat në muajin janar.


Ndërkohë, mediat italiane kishin pretenduar gabimisht javën e kaluar se ndërmjetësi i futbollit kishte ndërruar jetë, gjë që më pas u raportua nga shtypi botëror.
Megjithatë, familja e tij konfirmoi lajmin e hidhur për vdekjen e tij vetëm dy ditë më vonë.
Raiola vuante nga një sëmundje e mushkërive, sipas gazetës gjermane “Bild”, përpara se të vdiste.
Vdekja e tij tronditi botën e futbollit dhe shumë nga lojtarët që ai përfaqësoi gjatë gjithë karrierës së tij udhëtuan në Monako për ta nderuar atë në një ceremoni private të mbajtur për familjen dhe miqtë e ngushtë në kishën Saint-Charles.
