Nga Hasan Pasha
100-vjetori i krijimit të qytetit të Burrelit u kthye në një festë të veçantë për gjithë rajonin verilindor të vendit. Me nismën e kryebashkiakëve të Matit e Klosit, Agron Malaj e Ilmi Hoxha, për tre ditë rresht u zhvilluan një sërë aktivitetesh kulturore dhe shkencore për të kujtuar 100-vjetorin e Njësisë Administrative Burrel, si pjesë e nënprefekturës Mat. Prej muajsh dy drejtuesit vendorë vijuan përpjekjet që ky përvjetor të festohej sa më bukur.
Në datat 5, 6 dhe 7 Maj Burreli përjetoi tri ditë plot aktivitete.
Pas 32 vitesh në sheshin “Kastriotët” u organizua Fetsivali i Këngës për Fëmijë. Kontributi i drejtorit të Qendrës Kultorore Mat Sokol Meta, drejtoreshës së Qendrës Kulturore të Fëmijëve Anduena Sefgjini dhe mjeshtrit të muzikës Shefqet Merra bënë që fëmijët e talentuar të Matit të konkururojnë me dinjitet. Qindra qytetarë i duatrokitën për zërin melodioz, për veshjet e bukura, për shpirtin e tyre artistik. Në fund kryebashkiaku i Matit Agron Malaj i dorëzoi fitueses së festivalit çertifikatën e vendit të parë.
Një moment i veçantë ishte ngjitja në skenë e “Bojni Band”, grupi muzikor i Kujtim Bojnit. Këngët e meloditë plot shije u pritën mjaft mirë nga qytetarët e Matit. Ishin të shumtë pjesëmarrësit që u bënë pjesë e tyre.
Plot emocion u pritën grupet artistike nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, të cilët vijnë herë pas here në qytetin e Burrelit, për të festuar e gëzuar me matjanët. Është një lidhje e hershme e Sokol Metës me këto artistë të ardhur nga trevat e ndryshme ku jetojnë e banojnë shqiptarët.
Koncerti i Aranit Hoxhës entuziazmoi të pranishmit e shumtë në qendër të qytetit. Grupmosha të ndryshme kënduan e kërcyen për orë të tëra, deri në orët e vona të natës.
Festimet kulmuan të shtunën, me 7 maj 2022, ku nuk munguan dhe mjaft kryebashkiakë nga qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe Kosovës. Në orët e para të mëngjesit, pas pritjes ceremoniale të kryebashkiakëve Malaj e Hoxha, u hap sezoni turistik për këtë vit.
Të pranishmit e shumtë ndoqën nga afër panairin agro-ushqimor të 12 Njësive Administrative Burrel, Klos, Macukull, Gurrë, Derjan, Xibër, Rukaj, Kurdari, Lis, Komsi, Ulëz, Baz. Banorë të ardhur nga të gjitha zonat dhe nxënës të shkollave kishin sjellë në panair gjithçka, duke i dhënë atij një bukuri të rrallë.
Arkivi Qëndror i Shtetit kishte ekspozuar në qendër të sheshit “Kastriotët” foto e dokumenta që datonin prej vitit 1922. Ishin vërtetë fakte që të pranishmit nuk i dinin më parë.
Larmi ngjyrash dhe kërcimesh nga valltarët e vegjël të shkollave të Matit.
Biblioteka e qytetit të Burrelit me vendim të këshillit bashkiak u emërtua “Pjetër Budi” këtij korifeu të letrave shqipe.
Me interes u ndoq Konferenca Shkencore-Jubilare “Burreli, 100 vjet qendër administrative e nënprefekturës Mat” organizuar nga Akademia e Shkencave dhe Bashkia Mat. Fjalët përshëndetëse të kryetarit të Akademisë së Shkencave Skënder Gjinushi dhe kryetarit të Bashkisë Mat Agron Malaj u mirëpritën nga të ftuarit në Muzeun Historik të Matit.
Neritan Ceka, Suzana Kurti, Skënder Muçaj, Mareglen Kasmi, Sefer Duka, Mareglen Verli, Onuzi, Artan Kurti në kumtesat e tyre folën me fakte rreth historisë mijëra vjeçare të Matit.
“Qershia mbi tortë” ishte koncerti i së shtunën në darkë nga grupi muzikor “Fisnikët”. Pas pritjes zyrtare nga dy kryebashkiakët, mbrëmja ishte mjaft festive, e bukur dhe e veçantë.