Një vrasje e ndodhur në mes të ditës në prillin e vitit 2020 tronditi qendrën e Strombeek-Bever në Belgjikë, ku një 42-vjeçar, pronar i një picerisë u qëllua për vdekje në biznesin e tij nga një shqiptar. Autori i vrasjes hyri në biznesin e viktimës, hapi zjarr ndaj tij dhe u largua, duke mos shfaqur interes per kasën, çka bëri që policia të përjashtojë nga hetimi pistën e grabitjes.
Menjëherë pas ngjarjes, policia ka marrë një denoncim për një automjet të djegur disa kilometra larg e cila u konstatua se ishte makina e arratisjes. Në të ndodhej edhe arma e krimit.
Dëshmitarët kishin parë autorin të nxirrte një biçikletë të palosshme nga bagazhi para se t’i vinte flakën makinës dhe më pas të nisej për në Merchtem. Në bazë të përshkrimit të dëshmitarëve, ai u arrestua shpejt. Bëhej fjalë për një 35-vjeçar shqiptar i cili ndodhet ende në paraburgim në pritje të gjykimit.
Kokainë në vend të picës
Por puna e detektivëve i çoi shpejt studiuesit në një pistë që nuk e kishin pritur. Shitja e picave ishte në të vërtetë vetëm një “punë kamufluese”. Në fund të fundit, kokaina u mundësonte shumë më tepër para. Vrasja rezultoi të ishte për pazare droge.
Hetuesit hartuan një rrjet që importonte kokainë nga Holanda dhe e kontrabandonte atë në Itali nëpërmjet Strombeek-Bever. Banda kishte ndërtuar një rrjet që mundësonte që droga të shkonte në Itali pa u zbuluar.
Nuk është ende e qartë se çfarë kishte ndodhur saktësisht apo çfarë shkoi keq që pronari i picerisë duhej të eliminohej. Gjatë kontrolleve të shtëpive në Itali, në Bruksel dhe Strombeek-Bever u arrestuan gjithsej 12 persona dhe u sekuestrua një ngarkesë kokaine.
