Ministrja e Kulturës Elva Margariti e ftuar në “Log” ka folur për çështjen e Butrintit. E pyetur lidhur me akuzat se Parku Kombëtar i Butrintit po i jepet një kompanie private, Margariti tha se kjo është krejtësisht e pavërtetë, pasi ky park do të vijojë të menaxhohet nga shteti shqiptar.
Ajo tha se fondacioni shqiptaro-amerikan është pjesë e bordit, pasi shprehu interesin për të qenë partner strategjik në modelin e ri të integrimit të Parkut të Butrintit.
Ministrja tha gjithashtu se me menaxhimin e ri, Parku i Butrintit do të afrojë më shumë shërbime dhe më shumë turistë.
Pjesë nga intervista:
Butrinti është një çështje shumë e ndjeshme. A është ky një menaxhim privat?
Margariti: Absolutisht jo. Menaxhimi është vetë shteti shqiptar, i cili vazhdon të jetë jo vetëm menaxheri i pronës, sepse dy vite më parë miratuam planin për Butrintin. U tha se po i jepet një entiteti tjetër. Por me pjesëmarrjen e Ministrisë së Kulturës në bord, shteti ka jo vetëm rol vendimmarës, por rol monitorues dhe auditues. Asgjë nuk del nga tagri i shtetit.
Kemi një menaxhim tjetër?
Margariti: Para dy vitesh filluam me menaxhimin e integrimit.
Këtë formë menaxhimi përmes një fondacioni. Fondacioni shqiptaro amerikan është privat?
Margariti: Është privat po i financuar me para publike.
A është fondacioni shqiptaro-amerikan ai që ka kërkuar këtë formë të menaxhimit?
Margariti: Jo nuk e ka kërkuar fondacioni, ata kanë shprehur interesin për të qenë partnerë strategjik. Pra ata i janë përgjigjur planit, duke thënë se ne mendojmë se jemi partnerët e duhur. Për këtë kërkesë të tyre kanë kaluar në shumë këshilla vendimmarrës.
Ju dëgjova sot mund t’i bëjë dhe një kompliment Shalsit, që ishte një arbitër në një situatë dinamike. Ju thatë se kjo mënyrë menaxhimi është bërë për arsye që të rritet numri i vizitorëve?
Margariti: Patjetër për shtimin e turistëve, por dhe për ndërveprimin që ka zona arkeologjike dhe natyrore. Në këtë plan menaxhimi është vënë fokusi dhe në ato elementë që kanë qenë paksa të distancuar. Arsyeja pse ne çojmë përpara një model të ri është sepse Butrinti është një pasuri botërore.