Plot 46 mijë euro i janë grabitur një 90-vjeçari në Greqi, i cili ra pre e mashtrimit nëpërmjet telefonit. Ngjarja në fjalë ndodhi në Veria të Greqisë, ku një emigrant bullgar i moshës 36 vjeç ka telefonuar të moshuarin dhe i ka thënë se e bija është lënduar rëndë dhe se duhet të operohet menjëherë, e për këtë duheshin 46 mijë euro.
Burime policore në Greqi bëjnë me dije se mashtrimi ka ndodhur në mesin e muajit prill, kur një person i panjohur duke pretenduar se është mjek ka telefonuar plakun 90-vjeçar, duke e bindur atë të dorëzojë paratë për gjoja “operacionin” e së bijës.
Pas telefonatës, 36-vjeçari bullgar u paraqit në shtëpinë e të moshuarit, të cilit i ka marrë paratë dhe është zhdukur. Hetimi policor ka çuar në identifikimin e të dhënave të autorit.
Mësohet se ndaj autorit të kësaj vjedhjeje është ngritur një padi.
