Dyqanet që shesin bizhuteri me diamante dhe gurë të tjerë të çmuar janë në rritje në Shqipëri dhe specialistët bien dakord se kjo mund të quhet vërtet ‘epoka e diamanteve’. Sipas aktorëve të tregut, kërkesa për të blerë bizhuteri luksi është rritur ndjeshëm. Megjithatë, dëshira për të blerë dhe fuqia blerëse nuk kanë ecur paralelisht me njëra-tjetrën.
INSTAT raporton për rritje të importeve të gurëve të çmuar dy vitet e fundit, ndërsa argjendarët pohojnë se kanë tashmë një gamë të gjerë të bizhuterive të luksit, ku kryeson diamanti…
Gurët e çmuar që tregtohen edhe në Shqipëri, sipas vendeve të origjinës:
Smeraldet: Egjipt, Austri, Afganistan, Brazil etj.
Safirët: Sri Lanka, Tajlandë, Australi dhe Kamboxhia
Akuamarinë: Brazil, Zambia, Mozambik, Angola, Nigeri, Afganistan
Rubinë: Mianmar
Diamante: Kanada, Amerika e Jugut, Afrika e Jugut dhe ajo Lindore, Indi, Rusi, Australi, Azia Lindore etj.
Problematika
Tregtarët e vegjël pohojnë se për të ndjekur këtë tendencë të viteve të fundit, punojnë edhe me gurë imitacion të origjinalëve. Sipas tyre, gurët e unazave zakonisht janë gurë zirkon, imitacione brilantesh, akuamarinë, smerald dhe zafir. Edhe pse në 10 vitet e fundit kanë nisur të shiten gurë të çmuar dhe diamante, tregu në Shqipëri është shumë i vogël, pohojnë disa nga tregtarët e vegjël për “Monitor”.
Ata shtojnë, që ka më tepër kërkesa për blerje gurësh të çmuar ose bizhuterive të formuara me to, në raste festash ose në verë, megjithatë, këta blerës përbëjnë një përqindje shumë të vogël krahas totalit. Guri më i kërkuar është akuamarina. Ndaj në dyqane të vogla të lagjeve të kryeqytetit, tregtarët pohojnë se kanë unaza me gurë që u ngjajnë gurëve të çmuar, për të cilat ata i vënë në dijeni blerësit, të cilët duan të blejnë diçka të bukur, me pak para. Unazat më të shitura në argjendaritë e kryeqytetit, janë ato me gur akuamarinë, si dhe varëset me gurë të vegjël.
Një unazë me gurë akuamarinë, kushton rreth 700 euro, ndërsa me imitim guri te 20 mijë lekë, në një unazë floriri 14 karat. Megjithatë, çmimi varet nga madhësia e gurit dhe pastërtia e tij. Në lidhje me kërkesat për unaza me gurë të çmuar, pronarët e argjendarive thonë se “i kanë të paktë klientët, pasi dhe ata që kanë mundësi t’i blejnë këto bizhuteri parapëlqejnë t’i blejnë nëpër udhëtime jashtë shtetit”. Në Shqipëri ekzistojnë dy lloje bizhuterish, ato që punohen e prodhohen në vend, si dhe bizhuteri të gatshme që vijnë nga vende si Italia, Greqia apo Turqia.
“Vitet e fundit, në të gjithë botën ka pasur një tendencë për të blerë gurë të çmuar, gjë që është vënë re dhe në vendin tonë”, thotë një argjendar në Bllok. Një unazë e thjeshtë me gurë diamanti kushton minimumi 1,000 euro në ditët e sotme.
Tregtarët e vegjël pohojnë se diversifikimi i produkteve është diçka që ata përpiqen ta bëjnë prej vitesh, duke ofruar edhe stoli me gurë imitacion apo edhe produkte floriri me karat të ulët, për t’i dhënë mundësi çdo kategorie njerëzish që të blejnë. Ata ‘ankohen’ se tatimet dhe taksat janë të larta, qiratë e dyqanit gjithashtu, si dhe një kategori bizhuterish, kineze, të cilat e dëmtojnë tregtinë e tyre.
Marketingu në rrjetet sociale
Nga vëzhgimi i “Monitor” është vënë re se argjendaritë shqiptare i kanë klientët vizitorë të rrallë dhe vetë argjendarët pohojnë se punojnë më tepër online. Por, jo në shitje direkte, por në reklamim të mëparshëm. Sipas tyre, Instagram-i është forma më e mirë e marketimit të produkteve të tyre.
Ata thonë se ky rrjet social përdoret masivisht në Shqipëri, nga grupmosha 25-35 vjeç, që është potenciale e ardhshme për të blerë (në rastin konkret për t’u martuar). Sipas argjendarive të kontaktuara, ata kanë një punonjës specifik që kujdeset për Instagram-in dhe paraqitjen e stolive të tyre, marrjen e kërkesave, dhënien e informacioneve dhe organizimin e fushatave të marketingut për këto produkte. Sipas tyre, është forma më e mirë e marketingut momentalisht dhe në vitin 2018 rezultoi e suksesshme, sidomos në shpërndarjen e përshtypjeve pozitive. Një formë tjetër që ata ndjekin është marketingu nëpërmjet një personazhi publik. Drejtuesit e argjendarive pohojnë se shqiptarët “ndikohen” kur i shohin një VIP të caktuar një bizhuteri dhe shpesh, kërkojnë nga argjendaria të njëjtin model ose gur.
Marre me shkurtime nga Monitor