Deputeti i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka treguar sot negociatat që u bënë në mbledhjen e grupit parlamentar për të bashkuar të 59 deputetët e PD-së në procesin e zgjedhjes së Presidentit.
Bardhi i ka kërkuar kryetarit të Partisë Republikane, Fatmir Mediu që të negociojë me Komisionin e Rithemelimit në mënyrë që të gjithë deputetët demokratë të jenë të pranishëm në mbledhjen ku do të diskutohet për Presidentin.
“Të bëjmë gjithçka mundemi që të bëhemi bashkë për Presidentin, të 59 deputetët e PD. i kam kërkuar dje Fatmir Mediut të kontaktojë me pjesën tjetër të grupit. Ata janë përgjigjur që ky proces të bëhet nga partia, jo nga grupi i deputetëve. Dhe Partia jemi Ne, kanë thënë. Prandaj s’kanë pranuar të vijnë në mbledhje”, ka thënë Bardhi gjatë mbledhjes së sotme.
