Gjykata e Apelit në Greqi, ka lënë në fuqi dënimin me burgim të përjetshëm për shqiptarin dhe grekun të cilët akuzohen se vranë studenten greke, Eleni Topaloudi, duke rrëzuar kërkesën e tyre për lehtësim të masës së sigurisë.
Krimi monstruoz ndodhi në nëntor të vitit 2018 në ishullin Rodos të Greqi ku e reja, Eleni Topaloudi u gjet e vdekur në ujërat e Rodosit.
Dosja që tashmë është gjykuar sërish në Apel dhe ka pasur si të pandehur 21-vjeçarin grek Manolis Koukouras dhe shqiptarin Aleksandër Luca 20 vjeç.
Gjatë hetimit janë mbledhur prova dhe materiale, sipas të cilave, dy të rinjtë kanë dhunuar dhe vrarë studenten 21-vjeçare. Në dosje janë edhe komunikime të shqiptarit dhe shokut të tij grek që kanë biseduar me studenten para se ajo të vritej.
Po kështu, kamerat e sigurisë në rrugë kanë filmuar edhe momentin kur shqiptari shfaqet në makinë me studenten.
Megjithatë, Aleksandër Luca dhe Manolis Koukouras fillimisht akuzonin njëri-tjetrin për vrasjen e studentes, edhe pse pranojnë se kanë qenë bashkë me të mbrëmjen e 28 Nëntorit.
Trupi i Eleni Topaloudit u gjet i hedhur në shkëmbinj në det. Pasi ishte dhunuar nga dy të rinjtë, ata e kishin lidhur nga këmbët dhe trupin e kishin hedhur në det. Ekspertiza mjeko-ligjore konfirmoi se vdekja ishte shkaktuar nga mbytja. Që do të thotë se studentja ka qenë gjallë në momentin kur e hodhën në det, edhe pse kishte pësuar dëmtime të rënda për shkak të dhunimeve.
