Ish-kryeministri Sali Berisha ka vijuar turin e takimeve elektorale, ku ditën e sotme ndodhet në Vlorë.
Në fjalën e tij, Berisha sulmoi qeverinë duke u shprehur se ajo e përdori mandatin e parë për të shndërruar vendin në një narkoshtet, ndërsa në mandatin e dytë, për të shkatërruar opozitën.
“Shpëtuat pluralizmin politik në Shqipëri, demokracinë në këtë vend dhe të ardhmen. Ky udhëtim i juaj, ishte më i pazakonti në historinë e Europës, por edhe i vështirë, me pengesa serioze të mëdha. Në këtë udhëtim u përballëm me një qeveri e cila nëse në mandatin e parë e përdori për të zëvendësuar shtetin ligjor me qeverinë e narkoshtetit, mandatin e dytë e përdori për të krijuar pseudoopozitën.
Por, në këtë përpjekje të qeverisë, të segmenteve kriminale, demokratët u përballën me presione të pandershme, me ndërhyrje brutale të mafies së George Soros. Kjo mafie, mendonte dhe besonte se mund t’i caktonte PD-së fatin e saj. Pavarësisht nga këto presione, ju u ngritët, u ngritët sepse idealet tuaja ishin, kishin mbetur të paprekura.
Ju edhe më 25 prill, votuat masivisht për PD-në, 620 mijë shqiptarë i votuan kësaj partie, duke e mbajtur në këmbë si forcën e dytë më të madhe politike. Në këtë rrugë, demokratët erdhën si misionarë, kaluan çdo vështirësi dhe i dhuruan vendit përsëri opozitën e vërtetë” – tha Berisha.
