Arrestohen 7 shqiptarë dhe 1 italian nga policia e Parmas. Ndaj tyre ishte realizuar një hetim i gjatë disa vjeçar i cili në fund zbuloi rrjetin e strukturuar të trafikut dhe shpërndarjes së drogës. Por asnjë prej të arrestuarve nuk është identifikuar me emër.
Sipas mediave italiane, ata që dyshohet se janë protagonistët kryesorë të një trafiku të strukturuar droge në të gjithë provincën e Parmës dhe rrethinat e saj.
Gjatë hetimeve të nisura në vitin 2018, Carabinierët e Fidenzës kishin arrestuar tre persona për përpunimin e kokainës me qëllim trafikimin, duke denoncuar disa të tjerë në liri dhe duke sekuestruar një sasi të konsiderueshme kokaine. Por edhe pse kishin arrestime, efektivët e Policisë italiane nuk e kishin të plotë listën me 500 përdorues droge në zonë që furnizoheshin tek shqiptarët. Këta ishin përgjegjës për rreth 7000 shitje droge, duke bërë gati një milion euro xhiro në vit.
Prokuroria tha se shqiptarët planifikonin që shumat e mëdha të parave që nxirrnin nga trafiku i drogës, t’i pastronin përmes blerjes së pronave të paluajtshme në Shqipëri. Policia gjeti 400 mijë euro në banesë.