Sekretari për Çeshtjet Ligjore në Partinë Demokratike Çlirim Gjata, në një deklaratë për mediat ka folur për audio-përgjimet e publikuara ditën e djeshme nga Partia Demokratike për çështjen ‘Babale’
Në audo-përgjim dëgjohet që Fredi Alizoti, i cili pretendon se ka luajtur rolin e Agron Xhafës në audiopërgjimin me Albert Veliun, t’i kërkojë drejtorit të policisë së qarkut të Fierit Albert Nushit, të takojë kreun e Grupit Parlamentar të PS-së Taulant Ballën.
Nisur nga kjo, Gjata kërkon që Prokuroria të marrë si të pandehur Taulant Ballën, ish-ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafajn, drejtorin e Policisë së Shtetit Ardi Veliun dhe Albert Nushin, ndërkohë që pretendon se Prokuroria fsheh përgjime të Alizotit me figura të larta në PS.
‘PD ka publikuar përgjime zyrtare se si shteti është vendosur në shërbim dhe komandohet nga një ish trafikant i dënuar Alfred Alizoti vetëm se mori përsipër dëshminë e rreme, se si në përgjimin e famshëm Babalja kishte qenë ky dhe jo vëllai i ish-ministrit Xhafaj dhe kjo ishte bërë me urdhër të Edi Ramës. Përgjimet faktojnë përdorimin si seksion i Rilindjes të Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe Prokurorisë së Tiranë, 4 prokurorë u përdorën politikisht për të shpëtuar nga përgjimet Geron Xhafën. Pas publikimeve të përgjimeve zyrtare Prokuroria duhet të marrë si të pandehur Taulant Ballën, Fatmir Xhafajn, Ardi Veliun, Albert Nushin, ky i fundit ka qenë drejtor deri para pak ditësh i Drejtorisë së Policisë Fier dhe një sërë strukturash policore që kanë manipuluar këtë ngjarje me qëllim manipulimin e së vërtetës për të shpëtuar pushtetin e Edi Ramës dhe dënimin e opozitës që denoncoi këtë aferë. Përgjimet zyrtare të Prokurorisë faktojnë se drejtori i policisë së Fierit vihet në shërbim të tyre edhe në 12 të natës.
Përgjimet e Prokurorisë faktojnë se pushteti e sajoi dëshmitarin e remë duke e paguar atë. Prokuroria nuk ka zbardhur disa përgjime me qëllim kur flet për Ballën dhe Drejtorin e Përgjithshme të Policisë së Shtetit që tregon se pushtetin real e kanë kriminelët, se drejtori i policisë vihet në shërbim të tyre edhe në mes të natës. Narkotrafikantët flasin me politikanët më të lartë të rilindjes. Përgjimet faktojnë degradimin e Prokurorisë. Bllokimi i transmetimit të provave dhe fakteve skandaloze që implikojnë zyrtarë të policisë janë prova e Ramës për të vazhduar bashkëqeverisjen me krimin i faktuar edhe nga Zëri i Amerikës. Kemi shumë biseda që nuk po zbardhen nga Prokuroria me numrin e Taulant Ballës dhe Alizotit. Këta dy numra kanë biseduar me njëri-tjetrin. Krimet e Rënda janë vënë në shërbim të sekteve kriminale’, tha Gjata.