Gërhitja është një tingull që krijohet kur keni bllokim të pjesshëm të frymëmarrjes gjatë gjumit për shkak të një problemi të caktuar. Por, jo rrallëherë mund të jetë edhe tregues i problemeve serioze me shëndetin. Ndryshimi i mënyrës së jetesës, si rënia në peshë, shmangia e alkoolit para se të flini ose fjetja në një anë, mund të ndihmojnë në ndalimin e gërhitjes.
Pavarësisht se gërhitja nuk është gjithmonë problematike, në disa raste të caktuara mund të jetë e lidhur me probleme serioze me shëndetin, prandaj rekomandohet që të paraqiteni te mjeku ORL për t’u diagnostikuar saktë me qëllim marrjen e trajtimit adekuat duke qenë se trajtimi në këto raste është kompleks dhe multidisiplinar.
Gërhitja mund të arrijë shkallë të ndryshme, zhurma mund të jetë e tillë që të arrij 90 apo 100 decibel, që është e ngjashme me lëvizjen e një makine, kamioni, etj, që sigurisht prish gjumin e partnerit që është në shtrat, apo dhe të familjarëve të tjerë.