Danimarka do t’i bashkohet politikës së mbrojtjes së Bashkimit Evropian pas një referendumi të mbajtur ditën e sotme. Ky ishte një sinjalizim midis vendeve nordike për të forcuar lidhjet e mbrojtjes në përgjigje të pushtimit rus të Ukrainës, raporton Reuters.
Danimarka është i vetmi anëtar i BE-së që nuk është pjesë e politikës së mbrojtjes dhe sigurisë së bllokut, pasi vendi siguroi disa përjashtime në një referendum të vitit 1993. Rezultatet paraprake treguan se 66.6% e votuesve ishin në favor të heqjes së një përjashtimi nga e ashtuquajtura Politika e Përbashkët e Sigurisë dhe Mbrojtjes (CSDP) e BE-së.
Pothuajse 34 për qind e votuesve të anketuar ishin kundër, por rezultati nuk do të ndryshojë, sipas transmetuesit publik.
“Është një qasje krejtësisht e re ndaj Evropës, të cilën ne po ua sinjalizojmë aleatëve tanë evropianë, gjithë botës. Vështirë se mund të mbivlerësohet, rëndësia që ka në politikën tonë të jashtme dhe evropiane” tha ish-ministri i Jashtëm dhe anëtar i Partisë Social Liberale, Martin Lidegaard.
Në CSDP, Danimarka do të jetë në gjendje të marrë pjesë në operacione të përbashkëta ushtarake, si ato në Somali, Mali dhe Bosnje-Hercegovinë, dhe të bashkëpunojë në përvetësimin e aftësive të përbashkëta ushtarake. “Shtetet e Bashkuara e kanë thënë shumë qartë. Evropa duhet të jetë më e përgjegjshme për sigurinë dhe mendoj se ka kuptim të jemi pjesë e këtij bashkëpunimi në vend që të shpresojmë vazhdimisht për ardhjen e SHBA-së”, tha kreu i Partisë Popullore Konservatore, Soren Pape.
