Përgjatë muajit korrik do të rinisin aplikimet për ndjekjen e praktikave kombëtare të punës pranë institucioneve të administratës shtetërore, në nivel qendror dhe vendor, institucioneve të tjera publike, njësive të vetëqeverisjes vendore, shoqërive tregtare dhe organizatave jofitimprurëse. Në Fletoren Zyrtare të Qeverisë është publikuar tashmë urdhri me procedurat e aplikimit dhe përzgjedhjes së mijëra të rinjve, që për tre muaj me radhë, do të mund të ndjekin praktikën e punës me orar të plotë në këto struktura. Lidhur me orët e punës, autoritetet sqarojnë se praktikanti që do të shpallet fitues në përfundim të fazës së aplikimeve, do të kryejë praktikën e punës pranë institucionit ku është pranuar, çdo ditë, nga e hëna deri të premten, orar zyrtar. Praktikanti, që të certifikohet për përfundim me sukses të programit, duhet të ketë marrë pjesë minimalisht në 80 për qind të periudhës së zhvillimit të programit të praktikës.
Për të gjithë të rinjtë që duan të marrin pjesë në këto programe bëhet e ditur se aplikimet do të bëhen online në faqen https://praktika.riniafemijet.gov.al. Ndërkohë që e gjithë procedura kësaj here do të realizohet nga Ministria e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, me pjesëmarrjen e institucioneve të tjera bashkëpunuese. “Procesi i aplikimit fillon në datën 1 korrik dhe përfundon në datën 31 korrik 2022”, sqarohet në urdhrin e shpallur për hapjen e thirrjes së shtatë të realizimit të programit të praktikave kombëtare të punës.
Pjesëmarrësit do të përfshihen në një përvojë pune, në ndërveprim me profesionistët në administratën publike, institucionet e tjera publike, njësitë e vetëqeverisjes vendore, dhe shoqëritë tregtare, me qëllim përfitimin e njohurive praktike, pasurimin e jetëshkrimit të tyre, zgjerimin e rrjetit të kontakteve, aftësimin e mëtejshëm për punën në grup, përshtatshmërinë me ambientin e punës, ndërmarrjen e iniciativave, etj. Zhvillimi i praktikës së punës njihet si përvojë pune, gjatë rekrutimit në institucionet e administratës publike dhe të tjerë. Praktika është pa pagesë.
Kriteret e aplikimit
Për ndjekjen e këtyre praktikave kanë të drejtë që të aplikojnë të gjithë të rinjtë që kanë mbushur 21 vjeç deri në datë 12 shtator të këtij viti, si dhe të jenë deri në 26 vjeç në datë 12 dhjetor 2022, kohë në të cilën do të ketë përfunduar edhe ndjekja e praktikës. Lidhur me formimin universitar që duhet të kenë, aplikantët duhet të jenë minimalisht të diplomuar në programet e studimit të ciklit të parë “Bachelor”, deri në datë 12 shtator 2022. Nga ky program nuk mund të përfitojnë kandidatët që kanë marrë pjesë në programet e mëparshme. “Aplikantët nuk duhet të kenë qenë pjesë e programit në thirrjet e mëparshme, pasi qëllimi i tij është ofrimi i një përvoje kualifikuese, që ndikon në zhvillimin e aftësive profesionale e të shprehive të tyre praktike, në njohje me sistemin administrativ publik dhe shoqëritë tregtare”, sqarohet në urdhrin e shpallur në Fletoren Zyrtare të Qeverisë.
Sipas afateve të përcaktuara, Programi Kombëtar i Praktikës së Punës, “Thirrja e shtatë” për vitin 2022, do të zgjasë 3 muaj. Ekspertët sqarojnë se ndjekja e praktikës do të nisë në datën 12 shtator dhe përfundon në datë 12 dhjetor 2022.
Skema se si do të bëhet aplikimi
Aplikimi kryhet në platformën zyrtare të programit: https://praktika.riniafemijet.gov.al. Në këtë platformë të aplikimit gjatë ditëve në vijim do të publikohen profilet studimore të kërkuara nga institucionet pjesëmarrëse në program, me qëllim orientimin e kandidatëve. Në formatin e aplikimit kërkohen të dhënat, si në vijim: “të dhënat personale, studimet e fundit të përfunduara, përcaktimi i mesatares së studimeve të fundit të përfunduara, me të cilat aplikanti po kandidon, jetëshkrimi, letra e motivimit, në të cilën kërkohet të shpjegohet se si kjo praktikë në institucionin përkatës do të ndikonte në rritjen e tij/saj profesionale”. Më pas, institucionet pjesëmarrëse ngrenë komisionet përzgjedhëse përpara mbarimit të afatit të aplikimit. Komisioni është i përbërë nga minimalisht 3 persona. Personi kontaktit i institucionit është anëtar. Nëpërmjet personave kontakt të konfirmuar, organizojnë dhe udhëzojnë institucionet dhe njësitë nën varësi, në lidhje me tërësinë e procesit të ngritjes së komisioneve.
Shpallja e fituesve
Përzgjedhja e kandidatëve mbështetet në profilet studimore të kërkuara nga institucioni, të cilat shpallen në platformën e aplikimit. Përzgjedhja e fituesve do të bëhet sipas skemës standarde të vlerësimit prej 40 pikësh, me të cilat vlerësohen llojet e diplomave të dorëzuara nga aplikuesi, nota mesatare, si dhe letra e motivimit. Pikët që do të mund të grumbulloni për secilin nga këta tregues i gjeni të detajuara në vijim të shkrimit.
Komisioni harton listën me kandidatët sipas renditjes së pikëve, ndarë sipas profileve studimore. Komisioni shpall listën fituese sipas profileve studimore brenda 3 ditëve pune nga dërgimi i aplikimeve, ndërkohë që harton edhe listën e kandidatëve në pritje. Institucioni pjesëmarrës në program është përgjegjës për lajmërimin dhe verifikimin e fituesve brenda 2 ditëve pune nga shpallja e listës zyrtare. Fituesit lajmërohen mbi datën e paraqitjes në institucion dhe dokumentacionin që duhet të dorëzohet në institucionin ku kryhet programi. Institucionet e përfshira në program dërgojnë elektronikisht pranë ministrit të Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, emrat e praktikantëve që rezultojnë fitues të procesit të përzgjedhjes dhe verifikimit brenda gjashtë ditëve pune nga data e dërgimit të aplikimeve, sipas formatit dhe të dhënave të përcaktuara nga ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët. Ndërsa ankimimet do mund të bëhen brenda tre ditëve kalendarike nga shpallja e fituesve.
Si do veprohet me vendet e lira
Në rast se institucioni nuk plotëson vendet e kërkuara me aplikimet e marra, mund të kërkojë kandidatë nga institucionet brenda të njëjtit sistem ministror, bashkiak apo të biznesit, si dhe mund të kërkojnë nga aplikimet e tjera, sipas sistemeve përkatëse, brenda 2 ditëve pune nga dërgimi i listës fituese. Koordinimin e rishpërndarjes e realizon personi kontaktit i ministrit të Shtetit për Rininë dhe Fëmijët brenda tre ditëve pune nga dërgimi i kërkesës së institucioneve për vendet e paplotësuara. Institucionet përzgjedhin mes aplikantëve të dërguar nga personi kontaktit i ministrit të Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, sipas së njëjtës metodologji më sipër dhe shpallin fituesit brenda dy ditëve nga dërgimi i aplikimeve shtesë.
Vijimi i programit të praktikës
Pasi të jetë shpallur fitues, kandidati duhet që të dorëzojë te personi i kontaktit në institucion jo më vonë se 10 ditë pasi ka filluar programin: “jetëshkrim, fotokopje ID, kopje e noterizuar e listës së notave të studimeve të përfunduara, kopje e noterizuar e diplomës së studimeve të përfunduara”. Personi kontaktit në çdo institucion konfirmon të dhënat e deklaruara në aplikim. Në qoftë se kandidati ka bërë deklarim të rremë nuk kualifikohet.
Në rast skualifikimi apo të tërheqjes nga programi të një kandidati, personi kontaktit i programit përzgjedh të renditurin në radhë, me të njëjtin profil studimor, me pikët më të larta për atë institucion, sipas listës së pritjes së hartuar nga komisioni. Pas konfirmimit të të dhënave, nënshkruhet marrëveshja midis institucionit ku kryhet praktika dhe praktikantit, brenda 14 ditësh kalendarike nga fillimi i programit. Marrëveshja tip hartohet nga ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët. Personi kontaktit në çdo institucion koordinon procesin e përcaktimit të një mbikëqyrësi për secilin praktikant, i cili përmbush kriteret dhe detyrat e përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 395, datë 29.4.2015, i ndryshuar, pika 8 dhe 9.
Përfundimi i programit
Formularët e vlerësimit për praktikantët nga mbikëqyrësit dhe formularët e vlerësimit të mbikëqyrësit nga praktikanti, hartohen nga grupi i punës dhe miratohen nga ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët. Javën e fundit të zhvillimit të programit plotësohen formularët e vlerësimit nga mbikëqyrësi për praktikantët dhe nga praktikantët për mbikëqyrësit. Grupi i punës së ministrit të Shtetit për Rininë dhe Fëmijët harton formatin e certifikatës për praktikantët që kanë zhvilluar me sukses programin.
Ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët verifikon me çdo institucion të përfshirë listën e praktikantëve që kanë kryer me sukses praktikën tre mujore, si dhe Fëmijët përgatit certifikatën për çdo praktikant që ka përfunduar me sukses praktikën dhe i dërgon certifikatat tek institucionet përkatëse. Institucionet realizojnë shpërndarjen e certifikatave te praktikantët.
Afatet dhe kriteret që duhet të përmbushin të rinjtë:
- Të jenë 21-26 vjeç.
- Të kenë përfunduar minimalisht ciklin e parë të studimeve “Bachelor”.
- Të mos kenë qenë pjesë e programit gjatë thirrjeve të mëparshme.
- Të rinjtë e interesuar duhet të aplikojnë vetëm në një institucion të caktuar, në të kundërt aplikimi i tyre nuk do të merret në konsideratë.
- Dokumentet që duhet të ngarkojnë aplikantët janë CV (jetëshkrimin) e aplikantit, si dhe Letra e motivimit, si dhe diplomat e studimeve universitare të kryera deri në momentin e aplikimit.
- Afati për aplikim është nga data 1 korrik deri më datë 31 korrik 2022.
SKEMA E VLERËSIMIT DHE SHPALLJA E FITUESVE
- Vlerësimi për nivelin e diplomës:
- Diplomat e ciklit të parë “Bachelor” vlerësohen me 5 pikë.
- Diplomat e ciklit të dytë “Master profesional” vlerësohen me 10 pikë.
- Diplomat e ciklit të tretë “Master shkencor” vlerësohen me 15 pikë.
Vlerësimi për mesataren e notave:
- Mesataret nga nota 5–6 do të vlerësohen me 5 pikë.
- Mesataret nga nota 7–8 10do të vlerësohen me 10 pikë.
- Mestaret nga nota 9–10 do të vlerësohen me 15 pikë.
Letra e motivimit
- Letra e motivimit do të vlerësohet nga 1 deri në 10 pikë.
Angazhimi i praktikantit në orë pune
Praktikanti do të kryejë praktikën e punës pranë institucionit ku është pranuar, çdo ditë, nga e hëna deri të premten, orar zyrtar. Praktikanti, që të certifikohet për përfundim me sukses të programit, duhet të ketë marrë pjesë minimalisht në 80 për qind të periudhës së zhvillimit të programit.