Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale fotoalbumin e ceremonisë së mbrëmshme të Sesame Workshop në Nju Jork.
“Shumë i nderuar për vlerësimin me çmimin prestigjioz “Joan Ganz Cooney Global Leadership Award”, i cili i takon Shqipërisë dhe shqiptarëve pa dallim, për vlerat e traditës së mikpritjes si edhe kultivimin e tyre në ditët më të vështira për të tjerët që nevoja i bën të trokasin në derën tonë”, tha Rama.
Kryeministri Rama u nderua mbrëmë me çmimin prestigjioz “Joan Ganz Cooney Global Leadership Award” nga organizata Sesame Workshop, për mikpritjen që Shqipëria iu bëri mijëra refugjatëve afganë, duke ofruar për ta strehim, arsimim, shërbime mjekësore e mbështetje.
Sesame Workshop është organizatë jofitimprurëse amerikane, misioni i së cilës është të ndihmojë fëmijët, përmes programeve edukative, me aktivitet në më shumë se 150 vende të botës. Iniciativat e Sesame Workshop-it të financuara në mënyrë filantropike plotësojnë disa nga nevojat më urgjente me të cilat përballen fëmijët, familjet dhe kujdestarët e sotëm.
Çmimi iu dorëzua Kryeministrit Rama nga presidentja e Sesame Workshop, Sherrie Westin, në darkën vjetore të ndarjes së çmimeve, mbajtur në Nju-Jork.






