Një hap të madh përpara për reformën në drejtësi e konsideron ambasadorja amerikane Yuri Kim, dekretimin e emërimit të Sokol Ngresit, si gjyqtar në Gjykatën e Lartë.
“Hap i madh përpara për reformën në drejtësi: Gjyqtari i 13-të i Gjykatës së Lartë u dekretua sot, duke i dhënë mundësi dhomave të bashkuara që të kenë më në fund kuorumin pas 5 vitesh. Kjo do të thotë se Gjykata e Lartë është në gjendje tashmë të kryejë të gjitha funksionet, të shqyrtojë më shumë raste dhe të ndryshojë ligjet gjyqësore në mënyrë racionale”.
“Ky hap i madh vjen falë bashkëpunimit të mirë mes institucioneve të drejtësisë dhe Presidencës. Shpresojmë që kjo të vazhdojë. Reforma në drejtësi nuk ka qenë e lehtë, e shpejtë apo e përsosur, por përfundimisht po ecën përpara dhe po prodhon rezultate reale”, shkruan Kim.
Presidenti i Republikës, Ilir Meta njoftoi këtë të premte dekretimin për emërimin e Sokol Ngresi si anëtari më i ri në Gjykatën së Lartë.
