Në
Rehovë ka nisur hartimi i projektit për restaurimin e 80 portave të ndërtesave
karakteristike të fshatit të cilësuar si një prej perlave të Kolonjës. Projekti
synon shndërrimin e fshatit në një destinacion për turizmin arkitektonik e
kulturor.
E konsideruar një prej perlave të Kolonjës dhe Qendër e Mbrojtur Historike,
Rehova do ti nënshtrohet restaurimit si pjesë e programit të 100 fshatrave model
për zhvillimin e turizmit. Në fokus janë 80 portat e ndërtesave
karakteristike, ku secila prej tyre dhe të gjitha njëherazi kompozojnë një
tablo të mjeshtrave kolonjarë, kulturës dhe vlerave të fshatit.
Puna përgatitore po kryhet nga studentë të arkitekturës dhe pedagogë italianë në bashkëpunim me specialistë nga Instituti i Monumenteve të Kulturës. “Puna është përqëndruar tek portat e Rehovës për ti bërë studentët të kuptojnë trashëgiminë dhe si duhet ruajtur ajo. Të restaurosh do të thotë të njohësh. Tani ne po mbledhim të dhënat që më vonë do të shërbejnë në projektin e restaurimit të trashëgimisë kulturore.
Synimi është krijimi i një itinerari arkitektonik-turistik-kulturor dhe shndërrimi i Rehovës në një destinacion për turistët. Fshati i Rehovës është i njohur edhe për artizanatin, mikpritjen, gatimet e veçanta, bukuritë dhe trashëgiminë e pasur, të ruajtur deri në ditët e sotme.