Prej tre ditësh vijon zjarri në ishullin e Sazanit. Zjarri po përhapet me shpejtësi, për shkak se favorizohet edhe nga era, ndërsa deri më tani janë rreth 7 forca zjarrfikëse që po punojnë.
Ndërkohë një rrezik shqetësues është mundësia e shpërthimit të municioneve ushtarake që janë depozituar në këtë ishull prej kohës së Komunizmit.
Është përfolur se janë dëgjuar edhe disa shpërthime, por ende nuk dihet saktësisht, raporton BW.
Sakaq, kërkohet ndërhyrje nga ajri për shuarjen e flakëve, pasi është e pamundur ndërhyrja nga uji, për shkak të mungesës së mjeteve.
Deri më tani në flakë është përfshirë e gjithë pjesa jugore e ishullit.
