Për ish-presidentin Bamir Topi, zgjedhja e Bajram Begajt si kreu i ri i shtetit është në përputhje me Kushtetutën. Ai tha se pas ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008 Edi Rama ka të gjithë të drejtën që të propozojë dhe zgjedhë një President nga mazhoranca.
“Unë e kam konsideruar procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri, të pritshëm. Pasi pas ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008, zoti Rama ishte në të drejtën e tij për të zgjedhur një President të mazhorancës. Sepse kur janë bërë këto ndryshime ka pasur një konsensus të gjerë dhe në vitin 2012 Partia Demokratike porpozoi të ndjerin Nishani, një propozim tërësisht politik. Sikundër pas vitit 2013 i erdhi radha mazhorancës dhe zgjodhi zotin Meta” – u shpreh Bamir Topi.
Duke komentuar pretendimet e Partisë Demokratike, ish-presidenti deklaroi se Ilir Meta ka vepruar drejtë me firmosjen e dekretit për Bajram Begajn në Stamboll. Sipas tij, procesi ka qenë korrekt dhe transparent.
Por ish-presidenti deklaroi në Report tv se ai vetë do të preferonte një figurë me profil politik. Kjo sipas Topit i shërben ruajtjes së institucionit të Presidencës nga sulmet e ditës apo tentativat e vazhdueshme për ta zhvlerësuar dhe hequr kompetencat.
“Unë kur jam pyetur se si e pëlqej dhe e bëj identikitin e Presidentit, kam qenë i mendimit se në pamundësi për ta zgjedhur nga populli, në krye të institucionit të Presidencës duhet një njeri me profil politik. E kam mbështetur këtë ide dhe bindje sepse Presidencës gjithmonë është tentuar t’ia reduktojnë kompetencat”, – deklaroi Bamir Topi.
