U rrëmbye teksa pinte kafen në lagjen e tij, në mesin e ditës, në mesin e një prej zonave më të populluara në Shqipëri, u vra dhe më pas ia zhduken trupin për të mos iu gjetur sot e asaj dite!
Policia nuk mundi të ndërhynte, Prokuroria nisi hetimet pas një jave ndërkohë vëllai i të rrëmbyerit urdhëroi nga Anglia për në Kamzë dhe u vu në dispozicion të hetimit duke dëshmuar emra, shkaqe dhe gjithçka që i duhej hetimit të një prej ngjarjeve më të rënda të ndodhura në vendin tonë në dekadën e fundit. Sot, kur kanë kaluar më shumë se dy vite nga ajo ngjarje horror, Prokuroria ka vënë nën akuzë vetëm një person, i cili rezultoi të ishte kopshtari i resortit nga ku u pa të dilte trupi i pajetë i Jan Prengës. Ndonëse vëllai i të zhdukurit dëshmoi për një mori personash të përfshirë në rrëmbimin e Jan Prengës, autoritetet tona të drejtësisë kanë në pranga dhe në bankën e të akuzuarve vetëm një të ri, edhe atë si personin që ka informacion për vendin ku është zhdukur trupi i Jan Prengës por që nuk i tregon Prokurorisë dhe Policisë!
PRETENCA E SPAK
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kërkuar dënim me burgim të përjetshëm për Festim Bexhdilin, kopshtarin e kompleksit “Golden” në Shijak, i cili akuzohet për rrëmbimin, vrasjen dhe zhdukjen e trupit të Jan Prengës, në janar të vitit 2020. SPAK-u pretendon se Bexhdili e di se ku është fshehur trupi i pajetë i Jan Prengës, por nuk e tregon. Prokuroria e Posaçme kërkon dhe 3 vite burg për Olsi Turjan.
Mbi të akuzuarit rëndojnë veprat penale “Rrëmbim apo mbajtje peng e personit”, “Mbajtje pa leje e armëve luftarake”, “Fshehja dhe asgjësimi i kufomës” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”. Vetëm kaq! Në të gjithë atë mori emrash të akuzuar, personash të parë në kamerat e resortit ku u pa përherë të fundit trupi i Jan Prengës, vetëm kopshtari ka mbetur nën akuzë. Sipas hetimeve, Gramoz (Dritan) Rexhepi, i cili aktualisht rezulton të jetë i burgosur në Ekuador dhe Gentjan Doçaj, në fund të muajit dhjetor 2019, kanë urdhëruar rrëmbimin e viktimës, Jan Prenga, me banim në Kamzë. Kjo, pasi Astrit Prenga, vëllai i viktimës vodhi një sasi kokaine në Portin e Portsmouth të Anglisë, që u përkiste atyre, e cila ishte importuar nga Ekuadori në Angli. Ky rrëmbim u tha se ishte urdhëruar prej tyre me qëllim që Astriti dhe personat e tjerë të kthenin lëndën narkotike. Ndërsa organizimi i rrëmbimit është kryer nga Martin Bleta e Korado Keshteja, ekzekutimi i këtij rrëmbimi është kryer nga të pandehurit Artan Doçaj, Aldo Majnishta, Geraldo Martini dhe një person tjetër i paidentifikuar.
POROSITËSIT
Gramoz (Dritan) Rexhepi konsiderohet një nga emrat më të kërkuar nga INTERPOL edhe pse ai vuan dënimin në burgun e Kuitos në Ekuador mbi të cilin rëndojnë dhjetëra akuza, teksa kërkohet edhe nga Belgjika. Vlonjati kërkohet edhe në Shqipëri për një sërë ngjarjesh kriminale që nga droga e deri te rrëmbimi i personit. Ai rezulton i dënuar me 13 vite burgim për trafik të 278 kg kokainë dhe grup i strukturuar kriminal dhe mësohet se sapo të përfundojë dënimin në Ekuador, Rexhepi do të ekstradohet në Shqipëri ku rezulton i dënuar me 25 vite burg për vrasjen e dy policëve në Fushë-Krujë, kur ai ishte i ri. Ndërsa Gentian Doçi, sipas Prokurorisë është pjesë e një prej bandave të Shkodrës, të njohur si grupi i “Dukagjinasve”. Emrat e tij dhe të të gjithë djemve të tjerë që dyshohet se kanë lidhje me ngjarjen e rrëmbimit, vrasjes dhe zhdukjes së janë lënë në prokurori nga vëllai i të zhdukurit, ndërkohë që trupi i pajetë u pa përherë të fundit në resortin “Golden” në Shijak, që gjendet në pronësinë e familjes Hajri.
RRËMBIMI
Jan Prenga u rrëmbye me 17 janar të vitit 2020! Kamerat filmike të zonës ku ai është parë i gjallë për herë të fundit treguan se doli të pinte kafe me bashkëshorten e tij. Pasi u ndanë, ai është nisur për të bërë disa blerje, ndërsa gruaja për në shtëpi, përgjatë gjithë kohës kamerat kanë fiksuar një person që sillej rreth e rrotull kafenesë në të cilën ishte Prenga me gruan e tij.
Pavarësisht këtij fakti, Prokuroria ende sot e asaj dite nuk ka mund ta identifikojë atë person. Rrëmbehet rreth mesditës në rrugën “London” për t’u vrarë dhe më pas për t’u zhdukur. U tha se rrëmbyesit e transportuan nga Kamza me automjetin e vjedhur “Range Rover” dhe e çuan në bodrumin e resortit “Golden”, nga ku më pas u pa ta nxirrnin të pajetë. Këto detaje dhe të dhëna i vërteton një kamera sigurie e këqyrur nga ekspertët e kriminalistikës, gjatë një hetimi intensiv që përfundoi vetëm me një person nën akuzë dhe që SPAKu kërkon për të dënim të përjetshëm! Dëshmia e Anton Prengës “…
Në datën 18.1.2020, një ditë pas rrëmbimit të vëllait tim, unë jam kthyer në Shqipëri, për t’u interesuar për vëllain tim që më ishte marrë peng, Jan Prenga. Kur unë kam qenë në Shqipëri, Astriti më ka thënë se kishin komunikuar me shtetasin Gentjan Doçi, i cili u kishte thënë se: ‘Ju e dini se ku e keni vëllain (që nënkuptonte që ju më keni marrë lëndën narkotike dhe ne ju kemi marrë vëllain)’. Po kështu, pas rrëmbimit të vëllait, ka hyrë në kontakte sërish Gramozi, i cili ka komunikuar sërish me Ndrekën, të cilit i ka pohuar se:
‘Unë e di se si janë gjërat, por unë ju jap besën, ktheni pjesën tuaj ju, pra, vëllai juaj, Astriti, së bashku me Gëzim Shullanin, se do lirohet pengu’, çka nënkuptonte se duhet të kthenim pjesën e mallit që kishin marrë Astriti me Gëzimin. Pasi kanë folur me Gramozin, vëllai im, Astriti, së bashku me Gëzimin, i kanë kthyer sasinë prej 106 kg lëndë narkotike, në Londër, disa personave nga shteti i Polonisë, të cilët i kishte dërguar Gramozi me Gentjan Doçin. Unë nuk e di as vendin dhe as kohën kur ishte kthyer kjo sasi lënde narkotike, por për këtë më ka treguar vëllai im, Astriti, i cili më ka thënë që ua kemi kthyer gjërat, si dhe 700 mijë paund, për sasinë që Astriti me Gëzimin kishin prekur nga sasia totale e lëndës narkotike. Ditën e mërkurë të kësaj jave, me sa më kujtohet, ka qenë data 22 janar 2020, është kthyer malli (lënda narkotike) dhe po atë ditë Gramozi ka kontaktuar në telefon me Ndrekën, Astritin dhe Gëzimin dhe u ka thënë se brenda dy orësh, vëllai i marrë peng, Jan Prenga, do lirohet…”
