Në një intervistë në emisionin “Arnautistan” në MCN TV ish-Presidenti Alfred Moisiu rrëfeu takimin e parë me Fatos Nanon dhe Sali Berishën, kur u propozua për të qenë në krye të shtetit.
Moisiu u shpreh se i tha Fatos Nano në zyrë se nuk pranonte ndërhyrje. Moisiu tha se ata që e propozuan për President e luftuan më shumë sepse nuk “u shkoi pas avazit”.
“Takimi im i parë ka qenë të nesërmen, vjen një gazetar nga televizioni shtetëror. Më tha si ju duket vetja z.President? Unë buzëqesha. Dëgjo djalë i thashë, unë i kam hipur dhe zbritur kalit disa herë. E njoh shtetin, kam punuar si në Lindje si në Perëndim. Ishte një përgatitje e përgjithshme e imja. Për mua ishte befasi zgjedhja President. Emri im ishte përmendur, por ka 40 emra”.
Moisiu tha se ishte Fatmir Mediu që e kontaktoi fillimisht dhe mandej u thirr në një takim ku ishin të pranishëm mes të tjerëve Nano dhe Berisha.
“Në zyrë pashë Nanon, Berishën, Pollon, Ruçin. Fatos Nano tha z. Moisiu ne kemi menduar që ju të vini kandidaturën për President, ne do ju mbështesim. Unë i falënderova, por thashë kam një prejardhje familjare dhe formim ku nuk pranoj ndërhyrje në punët e mia, do zbatoj Kushtetutën dhe ligjet. Nano, ende s’ishte kryeministër atëherë, ishte Majko, tha e morëm mesazhin. Berisha ishte propozuesi im”.
I pyetur a është bërë pishman Berisha që e propozoi, Moisiu tha:
“A është bërë pishman Berisha? Duhet pyetur Berisha. Pishman janë bërë shumë, jo vetëm Berisha. Kur mbarova mandatin duhet të isha propozuar, por s’më propozuan sepse kishin pakënaqësi. Kam qenë shumë i vendosur dhe i kujdesshëm. Gjithmonë kam thënë që Presidenti duhet të jetë njeri me flokë të bardha. Kur u zgjodha i kërkova takim Mejdanit dhe i thashë duhet t’i japim fund kësaj që ndërrimi i Presidentëve të bëhet si kaçakë, të bëjmë ceremoni dhe ra dakord. I dhamë sinjal popullit dhe ndërkombëtarëve, që shteti shqiptar ka hyrë në një brazdë. Ngeli ajo traditë dhe u ruajt. Ata që më propozuan më luftuan më shumë sepse nuk u shkova pas avazit. Unë i qëndrova asaj që thashë, do zbatoj rregullat. Kjo te ne nuk është e lehtë”.
