Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka ka ndarë një mesazh urimi në Ditën e Çlirimit të Kosovës, 23 vite më parë nga forcat e NATO-s.
Xhaçka falënderoi NATO-n dhe SHBA-të për ndihmën që i dhanë Kosovës, ndërsa theksoi se Kosova ka ende shumë rrugë përpara pavarësisht përparimit që ka bërë ndër vite.
“Urime Kosovë për ditën e lirisë! Një ditë e shënuar në historinë e gjithë popullit shqiptar. Mirënjohje përjetë për të gjithë ata që luftuan e sakrifikuan kaq shumë për këtë ditë, UÇK-së dhe udhëheqësve të saj për luftën heroike, dëshmorëve dhe veteranëve të kësaj lufte, që u përballën me forcat barbare të Milosheviçit. Mirënjohje Presidentit Rugova, vizionarit të lirisë së Kosovës. Mirënjohje të thellë #NATO-s dhe #SHBA-ve. Kosova ka bërë shumë rrugë që nga ajo ditë dhe ka ende shumë rrugë për të bërë. Por një gjë është e sigurt: njësoj si gjatë luftës, njësoj si pas luftës, edhe sot edhe përgjithnjë Shqipëria e shqiptarët do të vazhdojnë të punojnë e mbështesin Kosovën në çdo kohë e në çdo sfidë”, ka shkruar Xhaçka.