Në qytetin e Rrëshenit rruga hyrëse e qytetit ka marrë emrin e Preng Bib Dodës. Gjatë ceremonisë së zbulimit të pllakës kryetari i bashkisë Mirditë Ndrecë Deda tha se: “Sot Bashkia Mirditë hyrjes së qytetit Rrëshen, një rruge të rindërtuar plotësisht nga e para, e pagëzoi me emrin e prijësit të Mirditës Preng Bib Doda, një nga figurat qëndrore të historisë së Shqipërisë, në luftë për liri dhe pavarësi të Shqipërisë. Një nga burrat më të zotë ose fenomeni Preng Bib Doda siç e kanë quajtur historianët. Fatkeqësisht deri më sot ky burrështetas por edhe të tjerë, nuk e kanë marrë dimensionin e duhur kombëtar. Ka ardhur momenti që ti japim dimensionin e duhur lokal edhe kombëtar këtij prijësi të madh të Mirditës, i njohur brenda dhe jashtë kufinjve të Shqipërisë. Është një dimension të cilin nuk ja dhurojmë, por e ka fituar me luftë, me sakrifica, me kulturën, me dijet, me diplomacine dhe me forcën e një ushtaraku të zot”.
Më pas ka përshëndetur Ipeshkëvi i Dioqezës Gjegj Meta i cili ndër të tjera tha: “Ka një popull në ketë ballkanin tonë e Europën tonë që ka ruajtur identitetin e vet kombëtar mes peripecive më të mëdhaja që mund të ketë kaluar. Dhe ky është populli shqiptar. Dhe në këtë popullin shqiptar ka një komunitet që ka ruajtur të paprekur jo vetëm identitetin nacional, por ruajti dhe fenë e vet, e këta janë katolikët shqiptarë. Por ndërmjet këtyrë katolikëve shqiptarë ka një bërthamë njërëzish që jo vetëm ruajtën identitetin kombëtar, jo vetëm ruajtën të pa prekur besimin, por u qeveris me ligjet e veta. Kjo bërthamë është Mirdita. Mirditës, Shqipëria i ka borgj shumë, pavarësisht se Mirdita sot është e zbrazur. Kjo lidhje ndërmet Abatit dhe Kapedanit, sidomos në kohën e Abat Doçit ka qenë shumë e fortë edhe pse në raste nuk ka qenë një bashkëjetesë fort e lumtur ndërmejt tyre. Por koha e Abat Docit dhe Preng Bib Dodës ka qënë mjaft e mirë. Bashkë me kryetarin e Bashkisë, bashkë me të gjithë faktoret e duhur, jam i sigurtë se do ti kthejmë diçka të bukur Oroshit. Ne e kemi nisur tashmë bashkëpunimin, një bashkëpunim që do t’i sjelli Oroshit diçka të bukur qoftë Abacinë me gjithë kompleksitetin e saj, e shpresojmë edhe Sarajet e Kapidanit. Por të mos jetë një vend që të kujtohen të vdekurit, por një vend ku të shkojnë të gjallët, për të rifrekuar historinë dhe për të marrë frymezim për të ardhen e Mirditës dhe të Shqipërisë”, ka përfunduar Ipeshkevi Meta.
Në emër të familjes ka përshendetur Artan Lleshi (Gjomarku) i cili nënvizoi se: “Jam sot para Jush jo vetëm në emrin tim personal por edhe në emër të gjithë pasardhësve të Kapedanit të Mirditës, Gjon Marka Gjoni, të cilët ju përcjellin përgëzimet më njerëzore për vlerat dhe traditat që po ruan Mirdita. Dera e Kapedanit të Mirditës si sot 100 vjet më parë përcolli në parajsë prijësin dhe fisnikun e saj Preng Bib Doda. Por një patrioti mund ti hiqet jeta, por jo lavdia. Si sot 100 vjetë më parë, as dera e Kapidanit të Mirditës nuk e dinte se Mirdita vetëm pas një shekulli do ta përjetësonte prijësin e saj. Por qoftë kjo rrugë, rruga e bekuar së cilës ardhshim miq e kohë të begata për Mirditën dhe 12 bajrakët e saj të lavdishëm. Rruga “Preng Bib Doda” sjelltë në zemrat e Mirditës përgjithmonë Pashkë e Këshendella të lumtura”.