Pasagjerët e një avioni të “British Airways” që u nisën nga aeroporti i Londrës për në Dusseldorf në Gjermani, u përballën me një surprizë të hënën në mëngjes, kur avioni i tyre përfundoi në kryeqytetin skocez, Edinburg. Gabimi ishte bërë gjatë planifikimit të fluturimit, ku pilotët dhe ekuipazhi e dinin se ishin nisur për në Edinburg ku edhe përfunduan, ndërsa pasagjerët ishin nisur për në Gjermani.
Plani i pasaktë i fluturimit është paraqitur në zyrat e “WDL Aviation” në Gjermani, kompani e cila operon nën emrin e “British Airways”. Pas uljes në Edinburg, aeroplani nisi një fluturim të dytë për në Dusseldorf.
Piotr Pomienski, student në Imperial College London, i tha CNN se e dashura e tij, Zsófia Szabó ishte në aeroplan që u ul në Edinburg gabimisht. “Po ndiqja fluturimin, i cili po shkonte për në veri në vend se të vinte për në jug, por mendova se ishte gabim i sistemit të navigimit, derisa ajo më shkroi se ishte në Edinburg”, tha studenti. Szabó i tha CNN-së se ajo kuptoi se diçka nuk shkonte siç duhej kur pa malet jashtë avionit, në vend të “peizazhit të zakonshëm industrial gjerman”.
“Kur filluam të zbrisnim, pashë disa kodra/male më të larta, mendova se kjo nuk dukej si Holanda Lindore apo Gjermania Perëndimore”, tha ajo. “Pastaj kolegu im, i ulur pranë rreshtit, më tha të kontrolloj Google Maps – dhe kjo na tregoi se jemi rreth Carlisle“.
“Shumica prej nesh e gjetën në këtë situatë mjaftë qesharake,” tha Szabó. Në një deklaratë, një zëdhënës i British Airways tha se linja ajrore po punonte me WDL Aviation “për të sqaruar planin e pasaktë të fluturimit”. “Kemi kërkuar falje për klientët për këtë problem dhe do t’i kontaktojmë të gjithë në mënyrë individuale”, tha zëdhënësi.