Publikohet dëshmia e shtetasit Robert Gj., i cili ishte negociator mes Aleksandër Sadikajt dhe një personi nga Kuçova i cili i kishte një borxh 27-vjeçarit.
Negociatori rrëfeu dy takimet me Aleksandrin, para se ai të ekzekutohej në mënyrë makabre.
Në lidhje me ngjarjen Prokuroria po heton në disa pista, të cilat janë vrasje për larje hesapesh që lidhen me trafikun e drogës, për shkak të njohjes së tij me pjesëtarin e një grupi kriminal që vepron në Holandë, ose hakmarrje për shkak të së kaluarës së tij, si i përfshirë në një ngjarje në Greqi. si dhe mosmarrëveshje për pasurinë.
Hetuesit kanë dyshime se Aleksandër Sadikaj nuk ishte një objektiv i lehtë për t’u ekzekutuar, për nga mënyra sesi vepruan ekzekutorët, por edhe sepse ruhej, ndonëse njerëzit pranë tij nuk e pranuan. Kjo sepse në banesë iu gjetën antiplumb e dylbi. Ndërsa në vendin e ngjarjes u zbulua një pistoletë.
Robert Gj:
“Me datë 9 qershor jam takuar me Aleksandrin jashtë një qendre tregtare. I kërkova të pinim kafe, por ai nuk pranoi. Na tha se s’kishte kohë se është në ditëlindje. I thashë që kam ardhur për problemin me Peqen dhe i kërkova zgjidhje, duke i thënë që Peqja ja kishte vonuar lekët, por kërkonte ta mbyllte si problem. I thashë që do ja dërgoja unë lekët. Aleksandri m’u përgjigj që s’do të kishin më konflikte. Të nesërmen e kam takuar bashkë me Gerin te lokali i tij në Astir. I kam dhënë 15.500 euro. Aleksandri më tha që Peqja i kishte borxh 19.500, por unë iu përgjigja se aq lekë më kishte dhënë. Aleksandri u kujtua dhe ramë dakord. U futëm në makinë dhe i thashë lekët. I kërkova t’i numëronte.”
